Donald Trump njoftoi se do të largojë nga detyra Sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, dhe propozon senatorin republikan nga Oklahoma, Markwayne Mullin, për këtë post.
Njoftimi u bë përmes rrjeteve sociale të enjten, dy ditë pasi Noem pati një përplasje të ashpër me anëtarë të Kongresit, si nga Partia Republikane ashtu edhe nga ajo Demokrate.
Trump deklaroi se do ta emërojë Noem si “E dërguare e Posaçme për Fortifikimin e Amerikës”, një iniciativë e re sigurie që do të fokusohet në Hemisferën Perëndimore. Noem është ministrja e parë që largohet nga posti gjatë mandatit të dytë të Trump.
Largimi i saj vjen pas një periudhe të trazuar të politikës së saj për zbatimin e ligjeve të emigracionit, e cila kishte shkaktuar një sërë protestash dhe padish ligjore.
Noem u përball me kritika të forta, kryesisht për mënyrën se si u menaxhua goditja ndaj emigracionit dhe për reagimin e departamentit të saj pas vrasjes së dy protestuesve në Minneapolis nga zyrtarë të forcave të rendit.
Ish-guvernatorja e South Dakota u kritikua gjithashtu për mënyrën se si departamenti i saj menaxhoi miliarda dollarë fonde të miratuara nga Kongresi.
Pakënaqësitë për zbatimin e politikës së ashpër të emigracionit të Trump, veçanërisht pas tragjedisë në Minneapolis, si dhe menaxhimi i reagimit ndaj fatkeqësive natyrore, duket se hapën rrugën për largimin e saj. Në seancat dëgjimore në Kongres këtë javë, ajo u përball me kritika të ashpra nga demokratët dhe disa republikanë për mënyrën e drejtimit të departamentit.
Ankesat e Trump
Përveç çështjeve të emigracionit, Noem u kritikua edhe nga republikanët për ritmin e ngadaltë me të cilin u miratuan fondet emergjente përmes Federal Emergency Management Agency (FEMA), si dhe për reagimin e përgjithshëm të administratës Trump ndaj fatkeqësive natyrore.
Ndërkohë, Mullin do të duhet të konfirmohet nga Senati. Megjithatë, sipas ligjit federal që rregullon vendet vakante në pushtetin ekzekutiv, ai mund të shërbejë përkohësisht si Sekretar i Sigurisë Kombëtare deri në përfundimin e procesit të konfirmimit të kandidaturës së tij.
© Panorama.al












