“Kemi ardhur t’u themi se nuk na përfaqësojnë” -Aktivistja Sidorela Vatnikaj: Populli është në rrugë, Rama e ka shkelur kontratën me qytetarët

Jul 27, 2026 | 9:52

Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka folur nga protesta e zhvilluar para Parlamentit, duke deklaruar se qytetarët janë mbledhur për t’u përcjellë një mesazh deputetëve dhe përfaqësuesve politikë.

“Kemi parë që këtu ka qenë dalja kryesore e deputetëve. Ata vijnë në Parlament sikur Parlamenti të mos jetë në rrugë. Kemi ardhur këtu për t’u thënë se nuk na përfaqësojnë”, u shpreh Vatnikaj.

Ajo deklaroi se gjatë dy muajve të protestave qytetarët kanë ngritur shqetësime për blerje votash dhe për një sistem politik që është ndërtuar mbi mashtrimin, krimin dhe oligarkinë.

Një përgjigje ajo kishte edhe për kryeministrin, i cili deklaron se ka kontratë me 800 mijë qytetarë:

“Nuk është diçka e re që me mashtrim tenton ta kalojë këtë protestë. Populli është në rrugë dhe po i tregon se edhe atë kontratë që ai mendon se e ka me ne, e ka shkelur dhe nuk e ka më”, tha aktivistja.

© Panorama.al

Te lidhura