Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në një intervistë për revistën Time se ai e detyroi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të ndalte luftën kundër Hamasit në Gazë, përndryshe konflikti do të mund të zgjaste për vite me radhë.
Në intervistën, e cila u publikua sot dhe u zhvillua më 15 tetor, pak ditë pas arritjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, Trump theksoi se i kishte thënë Netanyahu se lufta nuk mund të vazhdonte pafundësisht.
“I thashë: ‘Bibi, nuk mund të luftosh gjithë botën. Mund të fitosh beteja të veçanta, por e gjithë bota është kundër teje. Dhe Izraeli është shumë i vogël në krahasim me botën.’”
Trump vazhdoi: “E ndala sepse ai do të vazhdonte. Lufta mund të zgjasë vite. Dhe kur e ndala, të gjithë u bashkuan, ishte diçka e jashtëzakonshme.”
Trump e cilësoi si “gabim të tmerrshëm” përpjekjen e Izraelit për të goditur udhëheqës të Hamasit në Katar, por tha se ky veprim krijoi një impuls drejt arritjes së marrëveshjes. “Kur bëri këtë gabim taktikal në Katar, që ishte i tmerrshëm, unë i thashë emirit të Katarit se ishte një nga ato gjëra që na bashkuan të gjithëve.”
Izraeli dhe Arabia Saudite pritet të normalizojnë marrëdhëniet deri në fund të vitit
Në një pjesë tjetër të intervistës, Trump parashikoi që Izraeli dhe Arabia Saudite do të arrijnë normalizimin e marrëdhënieve deri në fund të këtij viti.
“Besoj se jemi shumë afër. Mendoj se Arabia Saudite do të jetë në krye të kësaj,” u shpreh ai, duke iu përgjigjur pyetjes për normalizimin e marrëdhënieve. “Ata kishin problemin e Gazës dhe problemin me Iranin, por tani nuk i kanë më këto dy probleme.”
Duke iu referuar pyetjes nëse Arabia Saudite do të bashkohet me Marrëveshjet e Abrahamit deri në fund të vitit, Trump tha: “Po, besoj se do të ndodhë. Besoj se do të ndodhë.”
Trump gjithashtu tha se planifikon të vizitojë ndonjëherë Rripin e Gazës, duke shtuar se nuk e konsideron presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, si udhëheqës të palestinezëve.
“Ata aktualisht nuk kanë një udhëheqës të dukshëm dhe në fakt nuk duan një të tillë, sepse shumë prej këtyre udhëheqësve janë vrarë ose qëlluar. Nuk është një punë e lehtë.”
© Panorama.al











