Trump njoftoi armëpushim pesë ditor, ministri i Jashtëm iranian: S’ka bisedime me SHBA-në! Duan të ulin çmimet e energjisë dhe të fitojnë kohë

Mar 23, 2026 | 14:09

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr publikoi një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Iranit, sipas së cilës nuk ekziston asnjë dialog mes Teheranit dhe Uashingtonit, pavarësisht pretendimeve të presidentit amerikan Donald Trump për bisedime me qëllim uljen e tensioneve.

trump

Në deklaratë thuhet se deklaratat e presidentit amerikan synojnë, nga njëra anë, të mbajnë nën kontroll çmimet e energjisë dhe, nga ana tjetër, të sigurojnë kohë për të avancuar në planifikimin e veprimeve ushtarake.

Ministria e Jashtme iraniane thekson gjithashtu se ka iniciativa nga vendet e rajonit për uljen e tensioneve, por shton se këto shqetësime duhet t’i drejtohen Uashingtonit, të cilin e cilëson si “palën që e nisi këtë luftë”.

Kujtojmë se më herët Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shtyjnë përkohësisht të gjitha sulmet ushtarake të planifikuara ndaj Iranit, pas dy ditësh bisedimesh që ai i cilësoi si “shumë të mira dhe produktive”.

Në një deklaratë të publikuar në platformën Truth Social, Trump bëri të ditur se ka udhëzuar ushtrinë amerikane të pezullojë “të gjitha sulmet ushtarake ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane”. Sipas tij, ky pezullim do të zgjasë për pesë ditë dhe mbetet i kushtëzuar nga “suksesi i takimeve dhe diskutimeve që janë ende në zhvillim”.

trump

“Kam kënaqësi të raportoj se SHBA dhe Irani kanë patur, gjatë dy ditëve të fundit, bisedë shumë të mira dhe produktive lidhur me një zgjidhje të armiqësive tona në Lindjen e Mesme. Kam udhëzuar Departamentin e Luftës të shtyjë çdo sulm ushtarak kundër centraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesë-ditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështje” thuhet në postimin e Trump.

Kjo vjen pasi Trump i lëshoi ​​një ultimatum Iranit, duke thënë se SHBA-të do të “shkatërronin” termocentralet e tij nëse ky i fundit nuk do të përfundonte bllokadën efektive në Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh, një afat që skadon sot. 

© Panorama.al

Te lidhura