Trump “falënderon” Gjykatën Supreme për bllokimin e tarifave: Më dhatë më shumë pushtet

Feb 23, 2026 | 16:50

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sulmuar sërish Supreme Court of the United States, pas vendimit të saj për të bllokuar një pjesë të tarifave doganore të vendosura prej tij, duke pretenduar se, “pa dashje”, gjykata i ka dhënë më shumë kompetenca se më parë.

donald trump

Në një postim të bërë të hënën (23/2), Trump shkroi se vendimi i Gjykatës Supreme, të cilin e cilësoi “qesharak” dhe “të shkruar keq”, në fakt i jep atij më shumë fuqi për të ndërmarrë masa të ashpra ndaj vendeve që, sipas tij, kanë shfrytëzuar SHBA-në për dekada.

“Ata, pa dashje, më dhanë si President shumë më tepër pushtet nga sa kisha më parë. Nuk kam nevojë të kthehem në Kongres për miratimin e tarifave. Ato tashmë janë vendosur në shumë forma dhe sapo u konfirmuan nga vendimi i Gjykatës Supreme”, shkroi ai.

Trump theksoi se mund të përdorë licenca dhe instrumente të tjera ligjore për të ndërmarrë masa “të forta” ndaj vendeve të huaja, duke shtuar se vendimi i gjykatës i ka hapur rrugë përdorimit më agresiv të tarifave ekzistuese, me “siguri ligjore”.

Ai kritikoi gjithashtu gjykatën për mënyrën si interpreton Amendamentin e 14-të të Kushtetutës amerikane, duke paralajmëruar se, sipas tij, vendime të tjera mund të favorizojnë vende si Kina.

Postimin e mbylli me sloganin e tij të njohur: “Bëjeni Amerikën Madhështore Sërish”.

Rritja e tarifës globale në 15%

Pak ditë më parë, Trump njoftoi se do të rrisë në 15% tarifën e re globale mbi produktet e importuara, e cila pritej të hynte në fuqi më 24 shkurt.

Me një dekret të ri, pas vendimit të Gjykatës Supreme që shpalli të paligjshme një pjesë të tarifave të mëparshme, presidenti vendosi fillimisht një tarifë të përkohshme globale prej 10%, duke deklaruar më pas se do ta çojë menjëherë në nivelin maksimal të lejuar prej 15%.

Për vendosjen e kësaj mase, Trump iu referua Nenit 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili i jep presidentit të SHBA-së të drejtën të vendosë tarifa deri në 15% për një periudhë 150-ditore.

Të premten (20/2), Gjykata Supreme vendosi me gjashtë vota pro dhe tre kundër se Trump nuk ka autoritetin të vendosë në mënyrë të njëanshme tarifa ndaj pothuajse të gjitha vendeve të botës bazuar në ligjin federal për kompetencat emergjente, një çështje që ka qenë në qendër të agjendës së tij ekonomike dhe të politikës së jashtme.

© Panorama.al

Te lidhura