
Greqia duhet të fokusohet ekskluzivisht në uljet e shpenzimeve për të përmbushur kushtet e shkurtimit të deficitit për 2012-n, për të marrë një paketë të dytë ndihme. Kështu u shprehën kreditorët ndërkombëtarë për vendin në krizë borxhi, thuhet në një raport të qeverisë. Raporti vendos ushtrinë, kujdesin shëndetësor dhe kompanitë shtetërore në qendër të masave të kursimit për të arritur rreth një për qind të prodhimit të brendshëm, i cili ishte rreth 217 miliardë euro vitin e kaluar. Përfaqësuesit nga Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të njohur si trojka, kanë përgatitur rekomandimet mes shqetësimeve se qeveria e përkohshme e Lukas Papademos nuk po i arrin objektivat për kontrollin e buxhetit. “Ne nuk jemi shumë pozitivë për atë që është bërë, por duam të vendosim një program për vendin”, tha presidentja e FMN-së, Kristine Legarde, në një intervistë me televizionin “Bloomberg” dje nga Davosi, Zvicër. Papademos u bë Kryeministër në nëntor 2011, i ngarkuar me sigurimin e kushteve për të marrë paketën e dytë të huas nga kreditorët ndërkombëtarë prej 130 miliardë eurosh, një shumë e vendosur në Samitin e tetorit 2011. Kushtet për të marrë paketën përfshijnë edhe bindjen e kreditorëve privatë për Greqinë që të falin rreth 50 për qind të borxhit që u ka vendi, rreth 100 miliardë euro. Borxhi total që ka Greqia te kreditorët, BE dhe FMN, është rreth 350 miliardë euro. Sipas ueb-faqes “Capital.gr”, “lista e kërkuar nga trojka reflekton analizën e KE, BQE e FMN, dhe pritet të përpunohen nga qeveritarët që edhe ata të shtojnë sugjerimet e tyre”. Sugjerimet e trojkës prekin tregun e punës dhe administratën e taksave. Shteti duhet të ofrojë “dy deri në tri kompani të mëdha për privatizim” në tremujorin e dytë, që të jenë në përputhje me objektivat e shitjeve të bonove. Raporti sugjeron edhe rikapitalizimin e bankave greke.
Kritikohet Merkel
Në Davos ka pasur kritika të ashpra për kancelaren Merkel. Kryeministri britanik, David Kameron, tha se “nuk vazhdohet më me lojëra sa andej-këndej”. Planet e Merkelit dhe Sarkozisë për futjen e taksës së transaksioneve ai i quajti thjesht “çmenduri”. Presidenti i ri i Parlamentit Europian, Martin Schulz, tha se nuk do të ishte e drejtë të sulmoje vetëm kancelaren Merkel, por “menaxhimi i krizës nga kancelarja gjermane nuk mund të quhet i suksesshëm”.











