Tritoli në makinën e Oltion Klosit, Gjykata jep masat e sigurisë për të arrestuarit! Ja çfarë deklaroi Sabah Nuzi, i dyshuar si porositësi

Mar 17, 2026 | 15:29

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për shtatë personat e arrestuar në lidhje me vendosjen e tritolit në automjetin e Oltion Klosit në Tiranë.

oltion klosi1

Gazetarja Klodiana Lala raporton se për Sabah Nuzin, i dyshuar si porositësi, dhe Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Eklips Leti dhe Kristjan Ahmerama është caktuar masa e arrestit në burg, për Glentjan Kojtari dhe Dorjan Hamolli është vendosur masa “arrest në shtëpi”, ndërsa për Geris Molla “detyrim paraqitje”.

Ngjarja ndodhi më 10 mars në Tiranë, ku një sasi eksplozivi u vendos në automjetin e Klosit dhe shpërtheu me telekomandë. Policia dyshoi se shkak i vënies së tritolit ishte një konflikt i ndodhur në Spanjë mes porositësit Sabah Nuzi, që ndodhet në burg për vepra të rënda penale, dhe objektivit Oltjon Klosi për çështje borxhi të pashlyer prej 15 mijë eurosh.

Por sipas Nuzit, porosinë për të vendosur eksplozivin e ka dhënë për llogari të personave të tjerë që kanë pasur konflikte me Klosin. Ndërsa Jurgen Gjonaj, personi që ka vendosur tritolin, ka pohuar se e kishte marrë përsipër shpërthimin për borxhin 15 mijë euro ndaj Nuzit.

Shkak i borxhit, sipas tij, ishte humbja e një ngarkese droge në Gjermani. Dhe nëse Gjonaj merrte përsipër shpërthimin e makinës me tritol, në këtë formë i kishte shlyer borxhin Sabah Nuzit.

7 personat u arrestuan të hënën nga policia. Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti akuzohen për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla akuzohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryer në bashkëpunim.

Ngjarja u zbardh nga biçikleta që autori përdori në ngjarje. Biçikleta ishte vjedhur nga Kristjan Ahmerama dhe pas ngjarjes ishte fshehur në një ambient në zonën e Laprakës. Mbajtja nën vëzhgim e Ahmeramajt zbuloi më pas personat e tjerë të arrestuar.

© Panorama.al

Te lidhura