Pensionistët e studentët transport falas në Tiranë

Jan 11, 2012 | 12:57
Basha gjatë takimit të djeshëm

Rritje e cilësisë së transportit publik dhe tarifa zero për studentët e pensionistët mbi 65 vjeç. Këto janë dy premtimet e Bashkisë së Tiranës, të cilat pritet të vihen shumë shpejt në jetë. Kryetari Lulzim Basha zhvilloi dje një takim me drejtues të Shoqatës së Transportit Publik, ku nënvizoi edhe  objektivin strategjik afatgjatë të Bashkisë së Tiranës. “Një shërbim i transportit publik me cilësi në përmirësim, me shtrirje në të gjithë qytetin e Tiranës, në dobi të të gjithë qytetarëve, mbetet prioritet i yni”, tha Basha. Ai theksoi se përdorimi më i madh i transportit publik është objektiv i Bashkisë së Tiranës në të gjitha planet, që nga ai urbanistik, te plani i transportit dhe planet e tjera. “Ky është, natyrisht, një standard europian, është një standard që do të sjellë një impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës në disa aspekte, më pak ndotje, lëvizshmëri më të shpejtë dhe kosto më të ulët për qytetarët”, tha Basha. Për këtë arsye është vendosur edhe funksionimi i një linjë të re, e cila i shërben kryesisht zonës së Qytetit Studenti. Basha bëri të ditur se Bashkia është e hapur për të diskutuar me Shoqatën e Transportit Publik edhe për miratimin e linjave të tjera në dobi të transportit të qytetarëve anembanë qytetit të Tiranës. Një nga synimet kryesore të Bashkisë së Tiranës, sipas tij, është ofrimi i një shërbimi sa më të mirë, por dhe sa më të pranueshëm për xhepat e kategorive të veçanta të qytetarëve, në veçanti për pensionistët mbi 65 vjeç dhe studentët. “Në këtë kuadër, mendoj se ka hapësira të mjaftueshme që jo ta diskutojmë si objektiv të veçantë, por në kuadrin e planit të përgjithshëm të masave që do të marrim, për t’ju ardhur në ndihmë edhe juve, ne të shikojmë se si mund të realizojmë objektivin e Bashkisë së Tiranës për transport me tarifë të reduktuar deri në tarifë zero për studentët dhe pensionistët mbi 65 vjeç”,  tha Basha. Ai e ftoi Shoqatën e Transportit Publik të bëhet pjesë e diskutimit për të ardhmen e transportit publik, që nga planet për linjat e tramit e deri te rishikimi i plotë i rrjetit rrugor, me përparësi korsitë e dedikuara. Drejtuesit e Shoqatës shprehën gatishmërinë për bashkëpunim.

© Panorama.al

Te lidhura