Tragjeditë në rrugë, katër vetë humbin jetën në 12 orë

Nov 18, 2011 | 9:16

Njëra prej tyre u shënua në rrugën nacionale Kam-Krumë, në Tropojë, kur një 12-vjeçar po drejtonte pa leje makinën “Golf 2” të të atit. Erik Osmani humbi jetën, ndërsa i vëllai, 17 vjeç, u plagos rëndë. Burimi nga vendi i ngjarjes thanë se babai i dy fëmijëve po kthehej nga Kosova kur ka parë momentin e aksidentit. Automjeti tip “Golf 2”, me targa të Kosovës, që drejtohej nga 12-vjeçari, i ka dalë atij nga kontrolli dhe është përplasur me pjesët e forta të rrugës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Aksidenti ka ndodhur jo larg shtëpisë së vëllezërve Osmani, në fshatin Skatinë, pasditen e djeshme. Një tjetër fëmijë, 14 vjeç, u përplas për vdekje nga një makinë në Rrilë të Lezhës. Rreth orës 17:00, një furgon me targa të huaja përplasi për vdekje 14-vjeçarin Nikoll Ademi. Mësohet se fëmija po ecte në drejtim të kryqëzimit të Rrilës kur ndodhi dhe aksidenti. Drejtuesi u mundua të arratisej, por u identifikua dhe ndalua nga policia e Lezhës pak minuta më vonë. Vetëm gjysmë ore më parë, po në Lezhë, një tjetër aksident me viktimë u regjistrua. Ngjarja ndodhi në fshatin Ishëm, kur drejtuesi i një makinë “BMW” doli nga rruga duke përfunduar në një kanal të thellë, në anë të saj. Simon Biba, 40 vjeç, humbi jetën në vend pas saltrove të makinës, ndërsa dy pasagjerët që ndodheshin në makinën e tij u plagosën rëndë. Ata u transportuan në Spitalin Ushtarak për mjekim më të specializuar. Sipas Policisë, që kreu ekspertizën për aksidentin, shkak për këtë ngjarje ka qenë hyrja me shpejtësi e mjetit në rreth-rrotullimin e këtij fshati. Kjo zonë ka qenë e pandriçuar, duke bërë që drejtuesi të mos e menaxhojë dot kontrollin e makinës. Një viktimë e katërt ishte pjesë e tragjedive rrugore në Shqipëri ditën e djeshme. Bëhet fjalë për aksidentin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në aksin rural Rrajcë-Skëndërbe, në Librazhd. Një mjet tip “Nissan” me targë LB 2207 A, drejtuar nga Festim Bogdani, ka humbur kontrollin e mjetit e për pasojë ka mbetur i vdekur në vend shoferi 37-vjeçar. Mësohet se kanë mbetur të plagosur rëndë edhe tre shtetas të tjerë, persona të së njëjtës familje (djem xhaxhai), të cilët ndodheshin pasagjerë në mjet: Avni, Mejdak dhe Besim Bogdani, përkatësisht 51, 36 dhe 25 vjeç. Grupi hetimor konkludon se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të mjetit, si pasojë e terrenit të vështirë në këtë aks rrugor, si dhe mungesës së ndriçimit.

© Panorama.al

Te lidhura