Kërkimet në ujërat italiane për të mbijetuar apo trupa të tjerë nga pasagjerët e anijes gjigande të pasagjerëve “Costa Criciera” po vazhdojnë. Dy pasagjerë koreanë u gjetën të gjallë, ndërsa kërkimet vazhdojnë. Çifti korean kishte zgjedhur anijen për të kaluar muajin e tyre të mjaltit dhe kanë arritur të mbijetojnë në anijen e përmbysur pas më shumë se 24 orëve. Ata u gjetën nga palombarët në një kabinë pjesërisht të përmbytur. Mbi 40 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe janë shpallur zyrtarisht të humbur. Kapiteni i anijes është shoqëruar në polici për të zbardhur rrethanat që sollën këtë tragjedi.
Panik
Një nga punonjëset në anije, një balerinë britanike, tha se kapiteni i saj e kishte braktisur anijen që në fazat e para të mbytjes. Paniku ishte aq i madh mes pasagjerëve sa nuk ekzistonte më parimi shpëtoni më parë gratë dhe fëmijët, por njerëzit shkelnin mbi njëri-tjetrin për të dalë nga anija, sipas rrëfimeve të disa punonjësve britanikë të kësaj anijeje, treguar për “Daily Mail”. Më shumë se 4200 persona ndodheshin në bordin e anijes që u mbyt në orët e para të së shtunës në brigjet italiane. Turistët kishin zgjedhur udhëtimin me anije për të pushuar, pasi ishte reklamuar si udhëtimi më i sigurt.
Në gjyq
Disa nga pasagjerët kanë deklaruar se do të hedhin në gjyq “Costa Crociera”, pasi ndihma e ekuipazhit ishte pothuajse jo-ekzistuese gjatë mbytjes së anijes. Pasagjerët, një pjesë e mirë e të cilëve francezë, kanë deklaruar se ishte paaftësi e stafit të kroçerës e gjithë ajo që ndodhi, që nga zgjedhja e itinerarit të anijes. Pasagjerët treguan se u lanë të vetëm në errësirë në ujërat e akullta të detit dhe se ishin hedhur në det vetë për të shpëtuar, kur anija po zhytej thellë e më thellë, pa marrë direktiva nga askush dhe se kishin notuar në errësirë. Një çift francez, të cilët sot dalin nga spitali, thanë se ata që i kishin shpëtuar e nxjerrë nga uji, kur i ishin afruar shkëmbinjve, kishin qenë pasagjerë të tjerë që kishin dalë para tyre, as skuadrat e shpëtimit dhe as stafi i anijes.











