Hetimet për shkaqet e përplasjes fatale të dy trenave me shpejtësi të lartë pranë qytetit Andamús në Spanjë janë në zhvillim, ndërsa ekspertët kanë identifikuar një segment të thyer të shiritit hekurudhor në vendin e aksidentit.
Në të njëjtën kohë, autoritetet konfirmuan se numri i viktimave ka arritur në 40, me dhjetëra të plagosur dhe persona të zhdukur, në një nga tragjeditë më të rënda hekurudhore në Spanjë në më shumë se një dekadë.
Aksidenti ndodhi vonë të dielën në mbrëmje, kur vagonë të trenit të shpejtësisë së lartë të kompanisë private Iryo, që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit, dolën nga shinat dhe u përplasën me një tren të kompanisë shtetërore Renfe, i cili po vinte nga drejtimi i kundërt, nga Madridi drejt Huelvës.
Si pasojë e përplasjes së fortë, vagonët e përparmë të trenit të dytë përfunduan në një shpat anësor pranë linjës hekurudhore.
Pasagjerë që mbijetuan përshkruan skena kaotike brenda vagonëve. Një grua, e cila ndodhej në trenin me drejtim Madridin, deklaroi se treni “u anua papritur nga njëra anë” dhe menjëherë pas kësaj “gjithçka u errësua dhe dëgjoheshin vetëm britma”.
Një tjetër pasagjere, me fytyrën e mbuluar me fasha, tregoi se u zvarrit jashtë vagonit përmes një dritareje të thyer, “e mbuluar në gjak”, me ndihmën e pasagjerëve të tjerë që kishin arritur të shpëtonin, ndërsa motra e saj u nxor nga rrënojat nga zjarrfikësit.
“Ke njerëz përpara teje rëndë të plagosur dhe e di se do të vdesin, por nuk mund të bësh asgjë”, tha ajo.
Një banor i zonës, i cili mbërriti në vendngjarje pak pas përplasjes, foli për pamje “vdekjeje dhe shkatërrimi”. Ai tha se përdori një motoçikletë me katër rrota për të ndihmuar në transportimin e rreth 16 të plagosurve drejt pikave të ndihmës së parë.
🔴 DIRECTO Adamuz | Los bomberos cortan el cristal para acceder a la cabina del tren Iryo accidentado en Córdoba https://t.co/UbOTMTbkF2 https://t.co/kDcbtKBRtM pic.twitter.com/LHuwXs9UPv
— EL PAÍS (@el_pais) January 19, 2026
40 të vdekur – 41 të shtruar në spital
Kreu i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juan Manuel Moreno, deklaroi se 40 persona humbën jetën, ndërsa 41 të tjerë mbeten të shtruar në spitale.
Familjarë dhe miq të pasagjerëve u mblodhën në spitalin Reina Sofía në Kordoba, në kërkim të informacionit për fatin e të afërmve të tyre.
Ministri i Transportit, Óscar Puente, deklaroi se segmenti i thyer i shinës që u gjet në vendngjarje “mund të jetë ose shkaku, ose pasojë” e daljes nga shinat, duke theksuar se është ende herët për përfundime përfundimtare.
Sipas tij, aksidenti është “jashtëzakonisht i pazakontë”, pasi ndodhi në një pjesë të drejtë të linjës, e cila ishte rinovuar së fundmi në kuadër të një investimi prej 700 milionë eurosh, ndërkohë që trenat po lëviznin nën kufirin e lejuar të shpejtësisë.
Nga Andamús, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u zotua se qeveria “do të arrijë te e vërteta” dhe se publiku do të informohet me “transparencë të plotë”. Ai shpalli gjithashtu tre ditë zie kombëtare dhe anuloi pjesëmarrjen e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Njëkohësisht, Sánchez siguroi se shteti do të mbështesë viktimat dhe familjet e tyre “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Ministri i Transportit vlerësoi se linja e shpejtësisë së lartë e prekur nga aksidenti vështirë se do të rikthehet plotësisht në funksion para muajit të ardhshëm, për shkak të hetimeve në vazhdim dhe punimeve të nevojshme për riparimin e infrastrukturës.
© Panorama.al












