Tragjedi rrugore në Brazil, me 6 të vdekur dhe 46 të plagosur! Autobusit i plasi goma, viktimat ishin punëtorë që shkonin për fushatën e mbledhjes së mollëve

Feb 16, 2026 | 20:44

Gjashtë pasagjerë u vranë në një aksident me autobus, në një autostradë kombëtare në Brazilin juglindor, tha departamenti i zjarrfikësve të Sao Paulos, ndërsa 46 të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spitalet e zonës.

autobusi brazil

Aksidenti, në autostradën BR-153, ndodhi duke zbardhur dita e sotme, pranë qytetit të Marilia, thanë zjarrfikësit në një postim në X. Gjendja e pasagjerëve të plagosur nuk dihet ende.

Gazeta braziliane ‘Folha de S.Paulo’ raportoi se automjeti doli nga kursi dhe u përmbys pasi goma e majtë e pasme i shpërtheu, duke bërë që shoferi të humbiste kontrollin.

Duke cituar deklarata nga policia federale e autostradave të Brazilit, mediat lokale raportuan se autobusi po transportonte punëtorë bujqësorë nga shteti verilindor i Maranhão, në shtetin jugor të Santa Catarina, për të marrë pjesë në mbledhjen e mollëve.

© Panorama.al

Te lidhura