Tragjedi në Vietnam, 15 turistë indianë humbin jetën pasi përmbyset një motoskaf në det

Jul 11, 2026 | 18:08

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën pasi një motoskaf me turistë indianë u përmbys pranë arkipelagut An Thoi, në jug të Vietnamit.

vietnam

Në bordin e mjetit lundrues ndodheshin gjithsej 36 persona, mes tyre 32 turistë indianë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit. Ngjarja ndodhi rreth 400 metra larg ishullit Hon Mai Rut Ngoai, në Gjirin e Tajlandës.

Sipas të dhënave paraprake nga autoritetet, aksidenti dyshohet se është shkaktuar nga kushtet e vështira atmosferike, me erëra të forta dhe dallgë të mëdha që kanë bërë që motoskafi të përmbyset.

Pas sinjalizimit për aksidentin, mjete të tjera turistike në zonë iu bashkuan operacionit të shpëtimit. Autoritetet kanë arritur të shpëtojnë 21 persona, ndërsa vijojnë kërkimet për identifikimin e viktimave dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e tragjedisë.

Një zyrtar i lartë lokal, Nguyen Thien Hai, deklaroi se prioriteti kryesor i autoriteteve është shpëtimi i të mbijetuarve, transportimi i viktimave në tokë dhe ofrimi i ndihmës mjekësore për personat e shpëtuar.

Reagimi i kryeministrit indian

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, shprehu trishtimin e tij për tragjedinë dhe u dërgoi ngushëllime familjeve të viktimave.

“Jam thellësisht i trishtuar nga aksidenti tragjik që përfshiu një anije që transportonte qytetarë indianë në Vietnam. Ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve që humbën të dashurit e tyre dhe u uroj shërim të shpejtë të plagosurve”, shkroi Modi në një reagim në platformën X.

Edhe ambasada indiane në Vietnam e cilësoi ngjarjen si tragjike dhe ka aktivizuar linja të posaçme komunikimi për t’u ofruar informacion dhe ndihmë familjeve të personave të prekur nga aksidenti.

© Panorama.al

Te lidhura