Përplasja Trump-“New York Times”: Katër gazetarë thirren në gjyq pas raportimit për sigurinë e Air Force One të ri

Jul 11, 2026 | 17:45

Administrata e Donald Trump është përfshirë në një tjetër përplasje me median amerikane, pasi katër gazetarë të gazetës “The New York Times” janë thirrur të dëshmojnë para një jurie të madhe federale në Manhattan, në kuadër të një hetimi për rrjedhjen e informacioneve mbi avionin e ri presidencial Air Force One, të dhuruar nga Katari.

trump

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka lëshuar thirrje në gjyq për gazetarët Julian E. Barnes, Eric Lipton, Tyler Pager dhe Eric Schmidt, duke u kërkuar të paraqiten para jurisë federale javën e ardhshme. Sipas gazetës, disa prej njoftimeve janë dorëzuar nga agjentë federalë direkt në banesat e gazetarëve.

Hetimi lidhet me një artikull të “The New York Times”, ku gazeta raportoi për mangësi të mundshme në sistemet e sigurisë së avionit të ri presidencial, i cili iu dhurua SHBA-së nga Katari dhe pritej të përdorej nga presidenti amerikan.

Sipas raportimit të gazetës, Donald Trump udhëtoi me avionin e ri drejt samitit të NATO-s në Turqi, por për kthimin përdori Air Force One-in aktual. “New York Times” shkroi se vendimi erdhi pas ndërhyrjes së shërbimeve të sigurisë, pasi avioni i ri Boeing 747-8 nuk kishte ende të instaluara të gjitha sistemet e avancuara të mbrojtjes që përdoren në avionin tradicional presidencial, përfshirë disa pajisje kundër kërcënimeve të mundshme.

Raportimi u bazua në burime anonime dhe shkaktoi reagim nga administrata amerikane, e cila i hodhi poshtë pretendimet për probleme sigurie. Shtëpia e Bardhë deklaroi se avioni i ri është i pajisur me teknologji të avancuar dhe sisteme të nivelit të lartë për mbrojtjen e presidentit dhe stafit të tij.

Zyrtarët amerikanë argumentuan gjithashtu se ndryshimet në itineraret dhe mënyrën e përdorimit të avionëve presidencialë janë pjesë e praktikave të zakonshme të sigurisë për të shmangur kërcënimet e mundshme.

“New York Times”: Thirrjet në gjyq cenojnë lirinë e shtypit

Gazeta amerikane reagoi ashpër ndaj vendimit të Departamentit të Drejtësisë, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj lirisë së medias.

Këshilltari ligjor i “New York Times”, David McCraw, deklaroi se veprimet e autoriteteve duhet të shqetësojnë çdo qytetar që beson në mbrojtjen kushtetuese të lirisë së shtypit.

Gazeta bëri të ditur se do t’i kundërshtojë në gjykatë këto kërkesa, duke argumentuar se detyrimi i gazetarëve për të zbuluar burimet konfidenciale dëmton aftësinë e medias për të informuar publikun mbi çështje me rëndësi kombëtare.

Rasti është pjesë e një përplasjeje më të gjerë mes administratës Trump dhe mediave kryesore amerikane lidhur me publikimin e informacioneve që lidhen me sigurinë kombëtare.

Më herët, thirrje të ngjashme në gjyq u ishin dërguar edhe gazetarëve të “Washington Post” dhe “Wall Street Journal”, ndërsa raste të tjera hetimore kanë shtuar shqetësimet e organizatave për mbrojtjen e lirisë së shtypit në SHBA.

© Panorama.al

Te lidhura