Të paktën 12 persona kanë vdekur dhe 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një rrëshqitjeje dheu në një qytet buzë lumit në rajonin Ucayali, në pyllin tropikal të Amazonës, në Perunë qendrore, raportoi agjencia e lajmeve Andina, duke cituar policinë.
Rrëshqitja e dheut “zvarriti dhe fundosi” dy anije pasagjerësh, të cilat ishin ankoruar në portin e Iparias, sipas të njëjtit burim.
Agjencia shtetërore e lajmeve, duke cituar një raport të policisë, raportoi se ka “12 të vdekur, tridhjetë të zhdukur” dhe gjashtë të tjerë të plagosur pas këtij “aksidenti tragjik”.
Midis viktimave janë “mjekë dhe mësues”, shtoi ajo.
Qendra Kombëtare e Operacioneve të Emergjencave tha në një postim në X se tragjedia ndodhi në agim “për shkak të erozionit të brigjeve” të lumit.
“Është kërkuar ndihma e Marinës për operacionet e kërkim-shpëtimit”, sqaroi organizata, duke shtuar se ka “persona të zhdukur, të vdekur dhe të plagosur”, pa dhënë një numër të saktë.
Të dy varkat ishin të ankoruara kur ndodhi rrëshqitja e dheut në fillim të sezonit të shirave. Njëra ishte bosh, ndërsa tjetra mbante “rreth 50 persona”, tha Qendra Kombëtare e Operacioneve të Emergjencave. Tre fëmijë ishin midis viktimave, tha organizata.
© Panorama.al












