Tragjedi në një shkollë në Argjentinë, 13-vjeçari humb jetën pas sulmit me armë nga një adoleshent! Tetë të plagosur nga të shtënat e 15-vjeçarit

Mar 30, 2026 | 19:58

Një sulm tronditës me armë zjarri ka ndodhur në një shkollë në Argjentinë, duke lënë një 13-vjeçar të vdekur dhe të paktën tetë të plagosur, pasi një nxënës 15-vjeçar hapi zjarr brenda kompleksit shkollor.

argentini-sxoleio-mathitis

Të shtënat ndodhën në Shkollën Pedagogjike “Mariano Moreno N°40” në qytetin San Kristobal, në provincën Santa Fe, rreth orës 07:15 me orën lokale, në momentin kur nxënësit po merrnin pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit.

15-vjeçari nxori armën nga çanta e shpinës dhe qëlloi disa herë ndaj bashkëmoshatarëve të tij, përpara se të neutralizohej dhe të arrestohej nga policia. Dëshmitë e nxënësve tregojnë se ai e kishte fshehur armën në një kuti kitare, ndërsa një nxënëse pretendoi se sulmi mund të lidhet me raste bullizmi, çka po hetohet nga autoritetet.

Sipas autoriteteve, autori përdori një armë gjahu dhe qëlloi katër deri në pesë herë, duke plagosur disa nxënës. Një 13-vjeçar humbi jetën, ndërsa të paktën tetë persona u plagosën.

Dy nxënës u plagosën më rëndë nga saçmat, ku njëri u dërgua në spitalin e Rafaela-s për ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa të tjerë u lënduan gjatë përpjekjeve për t’u larguar, duke thyer dritare dhe xhama në panik e sipër.

Burime mjekësore bënë të ditur se jeta e të plagosurve nuk është në rrezik të menjëhershëm, ndërsa shërbimet shëndetësore reaguan menjëherë për trajtimin e tyre.

Sekretari i Bashkisë së San Kristobalit, Ramiro Muñoz, konfirmoi vdekjen e 13-vjeçarit, ndërsa mësuesit raportuan se autori konsiderohej një nxënës i mirë me sjellje të rregullt, gjë që e ka bërë ngjarjen edhe më tronditëse.

Guvernatori i Santa Fe-së, Maximiliano Pullaro, deklaroi se “një ngjarje e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë”, duke theksuar tronditjen e madhe që ka shkaktuar incidenti në rajon.

Autoritetet e Santa Fe-së shpallën dy ditë zie, ndërsa mësimi është pezulluar dhe shkolla mbetet e izoluar. Prokuroria lokale vijon hetimet për rrethanat e sulmit dhe mundësinë e paramendimit.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në qytetin me rreth 100 mijë banorë, ndërsa organizata sportive dhe sociale kanë shprehur mbështetjen e tyre për familjen e viktimës 13-vjeçare.

Sulme të këtij lloji janë jashtëzakonisht të rralla në Argjentinë. Rasti i parë i regjistruar daton në vitin 1997, ndërsa incidenti më i rëndë ishte ai i vitit 2004 në masakrën e Carmen de Patagones, ku humbën jetën tre nxënës.

© Panorama.al

Te lidhura