Një aksident i rëndë tragjik ka ndodhur në Nepal mëngjesin e sotëm (23 shkurt), kur një autobusë me 44 pasagjerë në bord doli nga rruga dhe ra në një greminë prej 200 metrash.
Të paktën 19 persona mbetën të vdekur dhe 25 të tjerë morën plagë të ndryshme. Mes viktimave edhe një 24-vjeçar britanik, raporton BBC.
Autobusi, i cili po transportonte turistë, po udhëtonte drejt kryeqytetit, Katmandu, kur humbi kontrollin dhe ra 200 metra në bregun e lumit Trishuli, në distriktin qendror Dhading të vendit, në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Në bord ndodheshin 44 persona, përfshirë shoferin, 25 prej të cilëve pësuan lëndime. Autobusi po udhëtonte nga Pokhara, një vend i njohur turistik.
Autoritetet thonë se po hetojnë shkakun e incidentit. Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se po ndihmonte familjen e britanikut të vrarë. Policia nepaleze tha se deri më tani kishte identifikuar nëntë prej trupave.
Ambasada kineze në Nepal tha se një shtetas i saj ishte midis të vdekurve , duke cituar raportet e policisë lokale, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar nga autoritetet nepaleze.
Midis të plagosurve është një shtetas kinez dhe një nga Zelanda e Re, tha policia nepaleze. Të gjithë të plagosurit ishin dërguar në spitalet e kryeqytetit, shtuan ata. Midis atyre në bord kishte edhe fëmijë.
Autoritetet thanë se në vendngjarje u dërguan ekipe të shumta, përfshirë njësi policie, ushtri dhe një ekip shpëtimi me zhytës.
Zëdhënësi i policisë, Abinarayan Kafle, tha se 17 persona vdiqën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë vdiqën ndërsa po merrnin trajtim, raportoi BBC Nepali.
Në vitin 2024, të paktën 14 persona vdiqën pasi një autobus që udhëtonte nga Pokhara në Katmandu ra në lumin Marsyangdi në distriktin Tanahun.
Nepali është një destinacion popullor për shumë vizitorë ndërkombëtarë, veçanërisht alpinistët, të cilët udhëtojnë atje për të hyrë në një pjesë kyçe të vargmalit Himalaje që përfshin malin Everest.
Shtëpia e tetë majave më të larta në botë, alpinizmi është një burim i rëndësishëm të ardhurash për vendin – në vitin 2024, tarifat e ngjitjes sollën 5.9 milionë dollarë (4.4 milionë paund).
© Panorama.al













