
TIRANE – Në një kohë që në Gjykatën e Lartë pritej të niste shqyrtimi për lejimin apo jo të ekstradimit të Altin Kores për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai u përcoll dje drejt këtij vendi. Drejtësia e SHBA-ve kishte lëshuar një urdhër-arresti në emrin e Kores, pasi prej saj ai akuzohet për “trafik të narkotikëve” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas drejtësisë amerikanë, Kore ishte anëtar i një organizate droge që shpërndante kokainë në sasi të mëdha dhe në total ai dyshohej të ishte përgjegjës për trafikimin e 20 deri në 25 kilogramë kokainë. Mëngjesi i djeshëm ishte i fundit për Koren në ambientet e paraburgimit 302, ku ai u mbajt për disa muaj, gjatë kohës që u plotësuan procedurat e ekstradimit. Kore është ekstraduar nëpërmjet Aeroportit të Rinasit, ku ai iu është dorëzuar përfaqësuesve të Interpol Washington. “Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ditën e sotme, datë 04.11.2011, në orën 04:30, u realizua ekstradimi nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim, Altin Kore”, njoftoi dje zyrtarisht Policia e Shtetit. Ekstradimi i Kores dje u realizua në zbatim të një vendimi gjyqësor të Gjykatës së Apelit Tiranë, të datës 14 tetor. Ky vendim i dha formë të prerë dhe të ekzekutueshme një vendimi të mëparshëm të Shkallës së Parë, i cili lejonte ekstradimin e Altin Kores drejt SHBA-ve. Vetëm pak ditë më parë, më 26 tetor 2011, Gjykata e Lartë kishte regjistruar rekursin e të pandehurit Kore, ku ai kundërshtonte vendimin e Gjykatës së Apelit. Ky shqyrtim gjyqësor pritet të nisë ditët në vijim, ndërkohë që Kore do të jetë në SHBA. Altin Kore u arrestua më 24 qershor të këtij viti në Aeroportin e Rinasit. Ai u ndalua nga kontrollorët, pasi emri i tij radhitej në listën e personave në kërkim të Interpol Washington, më 3 mars të vitit 2011. Më herët, më 14 gusht 2008, Gjykata e Teksasit, SHBA, kishte lëshuar një urdhër-arresti në emër të tij. “Kore ishte një prej drejtuesve të organizatës që lehtësonte marrjen e kokainës dhe drejtimin e të tjerëve për ta transportuar dhe shpërndarë atë. Kore kontaktonte drejtpërdrejt me një burim furnizimi për marrjen e kokainës”, pohonte Gjykata e Tiranës, në vendimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë ndaj Kores, pas arrestimit. Fillimisht, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 60-ditor, afat që u shty edhe një herë më pas. ar.ba











