Trafiku ajror, përurohet kulla e re

May 4, 2011 | 13:47

Një investim me vlerën 12.5 milionë euro u përurua dje dhe do të shërbejë në ndihmë të menaxhimit më të mirë të trafikut ajror. Bëhet fjalë për Kullën  e re dhe Qendrën e Kontrollit të Trafikut Ajror. Këto dy vepra janë pjesë e një projekti, i cili në total kap vlerën e 60 milionë eurove dhe që synon modernizimin e hapësirës ajrore kombëtare. Gjatë përurimit të djeshëm ishin të pranishëm: zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto, ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, si dhe ambasadorja franceze. Të pranishmit e kanë vlerësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm. Për ministrin Olldashi ky projekt do të rrisë eficiencën e transportit ajror, operim dhe shërbime të ofruara në përputhshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare të sigurisë. “Ajo që është më e rëndësishme, ky projekt vjen si plotësim i detyrimeve që rrjedhin nga angazhimet për të pasur një hapësirë të përbashkët europiane të aviacionit”, tha Olldashi.

© Panorama.al

Te lidhura