Presidenti i Republikës, përmes zyrës së shtypit, kërkon që procesi i administrimit të votës të përmbyllet me sukses. “Presidenti i Republikës u kërkon publikisht partive politike dhe përfaqësuesve të tyre zgjedhorë, si dhe institucioneve ligjore të përfshira në proces, që me transparencë, shpejtësi dhe përgjegjësi të përmbyllin procesin e administrimit të votave”, thuhet në njoftimin e zyrës së informacionit të Presidentit të Republikës. Kreu i shtetit vlerëson ditën e zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në votim më 8 maj. “Presidenti i Republikës vlerëson se zgjedhjet e 8 majit shënuan një progres në standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike. Me pjesëmarrjen e lartë dhe sjelljen qytetare, zgjedhësit shqiptarë dëshmuan maturi dhe ndjeshmëri për t’i dhënë të gjithë besimin dhe integritetin e nevojshëm procesit zgjedhor. 8 maji ishte një ditë normale votimi. Qytetarët e thanë fjalën e tyre, e shprehën vullnetin e tyre, bënë zgjedhjet më të mira për ta. Tani është përgjegjësia politike e administrimit bipartiak të zgjedhjeve, që të dëshmojë vullnet të qartë politik për të respektuar votën qytetare. Çdo vonesë, pengesë apo alibi për të zgjatur mbylljen e procesit të numërimit tërësor të votave, është e dëmshme për integritetin e procesit dhe frymën kushtetuese të shprehjes së sovranitetit të popullit”, shprehet Presidenti i Republikës, përmes zyrës së informacionit.











