Topi takon Hoxhajn: Mbështetje maksimale Kosovës

Jan 13, 2012 | 20:07

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj është takuar sot edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Duke vlerësuar qëndrimin e matur të institucioneve dhe punën që kanë bërë gjatë kësaj periudhe për konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës, Presidenti Topi nënvizoi edhe karakterin strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, çka sipas tij, synon shndërrimin e tyre në marrëdhënie model në rajon.

Topi  tha se ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet në Kosovë, ndërsa ritheksoi angazhimin dhe mbështetjen maksimale të shtetit shqiptar si për njohjet e mëtejshme të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe për ofrimin e përvojës në proceset integruese që ka nisur tashmë Republika e Kosovës.

“Ne mbështesim bisedimet Kosovë-Serbi për çështje teknike dhe praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, – nënvizoi Presidenti Topi.

Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj e informoi Kreun e Shtetit shqiptar mbi strategjinë dhe objektivat e Republikës së Kosovës për rritjen e numrit të njohjeve të reja dhe kurorëzimin me sukses të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian si dhe për zbatimin përfundimtar të Planit Ahtisaari.

© Panorama.al

Te lidhura