Topi takon Arvizun: Reforma zgjedhore, imediate

Sep 10, 2011 | 12:08
Topi e Arvizu dje gjatë takimit

Presidenti Bamir Topi u takua dje me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ku në qendër të bisedimeve ka qenë situata aktuale politike në vend. Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së Presidencës, u vu theksi në domosdoshmërinë e bashkëpunimit politik mes klasës politike shqiptare në funksion të reformave të rëndësishme për konsolidimin demokratik dhe institucional të shtetit, si dhe zhvillimin dhe integrimin e vendit. “Presidenti i Republikës dhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë ndanë të njëjtin mendim, se maxhoranca dhe opozita duhet të rinisin dialogun konstruktiv institucional dhe të nxisin bashkëpunimin reciprok në shërbim të së ardhmes së vendit”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë këtij takimi, kreu i shtetit ka vënë në dukje se klasa politike shqiptare duhet të bashkojë përpjekjet në mënyrë që kontributi i saj në përballjen me sfidat më të rëndësishme politike dhe ato të integrimit të jetë i dukshëm dhe efikas. Në këtë kontekst, kryetari i shtetit theksoi se reforma zgjedhore është një ndër hapat më imediatë, që kërkon angazhimin maksimal dhe vullnetin e duhur të palëve, çfarë pritet të garantojë një kornizë ligjore në shërbim të përmirësimit të standardit të proceseve të ardhshme elektorale në vend. Në këtë pikë, edhe ambasadori amerikan, Arvizu, theksoi domosdoshmërinë e çuarjes përpara të reformave, dhe për këtë përgjegjësia i takon klasës politike shqiptare. “Temë e bisedës mes Presidentit Topi dhe ambasadorit Arvizu ishte gjithashtu dhe situata në rajonin ballkanik. Presidenti Topi u ndal në vizitën e tij të fundit në Serbi, në Samitin e 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Europës Juglindore dhe takimin me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, në të cilin, ndër të tjera, i rikonfirmoi se ‘Shqipëria mbështet bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane në dobi të përmirësimit të jetës së qytetarëve në të dyja vendet’. Ndërkohë, nënvizoi se ‘Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë të njohur ndërkombëtarisht’”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Ambasadori

Gjatë këtij takimi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Arvizu, vlerësoi rolin moderator të faktorit shqiptar për paqen dhe stabilitetin në rajonin ballkanik dhe qëndrimet konstruktive të politikës së jashtme shqiptare, të dëshmuara edhe përgjatë zhvillimeve më të fundit atje.

© Panorama.al

Te lidhura