TIRANE- Kreu i shtetit ka vlerësuar si një domosdoshmëri kryerjen e reformës zgjedhore dhe për këtë klasa politike dhe institucionet e larta kanë kanë lexuar me vëmendje rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-it. Gjatë takimit të zhvilluar sot me kryetarin e misionit të vëzhguesve Stounstrit, Topi theksoi se puna për realizimin me sukses të saj duhet të nisë sa më parë.
“Ky fakt thekson edhe një herë nevojën imediate që palët e përfshira në këtë proces, partitë politike e të gjithë aktorët institucionalë, të gjejnë rrugët e komunikimit në mënyrë që të mundësohet një bashkëpunim konstruktiv dhe i përgjegjshëm për të rifituar kohën e humbur dhe për të finalizuar këtë reformë, e cila do i garantojë qytetarëve dhe votuesve shqiptarë zgjedhje të lira, të ndershme dhe sipas standardet demokratike”, -tha Topi.
Ai së bashku me Stounstrit ndanë të njëjtin mendim se në procesin e reformës zgjedhore duhen përfshirë dhe marrë parasysh edhe mendimet e sa më shumë partive dhe aktorëve politikë, përfaqësuesve të administratës zgjedhore, shoqërisë civile, etj. në mënyrë që të rikthehet e të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në institucionin e votës.
Shefi I misionit të vëzhguesve theksoi nevojën e nisjes sa më parë nga puna të reformës zgjedhore ku OSBE/ODIHR-it do të ofrojë jo vetëm rekomandimet dhe vërejtjet e veta, por edhe ndihmesën e përvojën e vet të efektshme. “Ky proces reformimi ligjor duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës, në mënyrë që gabimet dhe të metat e vëna re gjatë zgjedhjeve të shkuara, të mos përsëriten më duke rritur nivelin e demokracisë shqiptare dhe institucionit të zgjedhjeve”- tha ai.
© Panorama.al











