Zyra e shtypit e Presidentit bëri të ditur dje në mesditë firmosjen e dekretit, i cili i ka kaluar Parlamentit për të vazhduar procedurat e parashikuara në Rregullore. “Në mbështetje të neneve 162, pika 2 dhe 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 11 të ligjit 8270, datë 23.12.1997 ‘Për Kontrollin e Lartë të Shtetit’, i ndryshuar, dekretoj: Bujar Leskaj i propozohet Kuvendit për t’u zgjedhur kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit”, thuhet në dekretin e kreut të shtetit. Pas firmës së Presidentit, ish-deputeti i Partisë Demokratike, për një mandat katërvjeçar të fituar në qytetin e Vlorës, do të jetë në javët e ardhshme para ish-kolegëve të tij të Komisionit të Ekonomisë ku do të zhvillohet një seancë dëgjimore përpara se të hartohet një raport për Kuvendin. Këtë herë Presidenti i ka propozuar maxhorancës një kandidaturë që përveç profilit politik ka edhe karrierë akademike në fushën e ekonomisë. Partia Demokratike nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj kandidaturës së Leskajt, por pritet që të mos jetë i njëjti qëndrim si me Sali Shehun. Në mandatin e parë pas rikthimit në pushtet të Partisë Demokratike, Bujar Leskaj u zgjodh deputet në qytetin e Vlorës, ku fitoi një zonë bastion të së majtës, përballë ish-deputetit të kësaj partie, Mezan Malaj. Në formimin e qeverisë së re, Leskaj mbajti për një vit e gjysmë postin e ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Pas largimit nga kjo detyrë ai ka qenë një ndër mbështetësit më të fortë në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të shtresës së të përndjekurve dhe të dënuarve politikë, kur ka propozuar disa amendamente në ligjin për dëmshpërblimin që i ka shkuar në favor kësaj kategorie.
Mandati i kreut të KLSH
Sipas ligjit “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, kryetari i këtij institucioni ka një mandat shtatëvjeçar. Nga viti 2004 deri më 28 tetor të këtij viti këtë pozicion e ka mbajtur Robert Çeku. Por, ligji i vitit 1997 nuk e përcakton se çfarë ndodh nëse Parlamenti nuk zgjedh brenda afateve kreun e ri të KLSH-së, çka e ka lënë këtë institucion në pritje të votimit të radhës kur të diskutohet emri i Leskajt.
Kush është Bujar Leskaj
• Ish-deputeti i PD-së është doktor i shkencave ekonomike (në fushën e financës), dizertacioni i mbrojtur pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti Ekonomik, me temë: “Senjorazhi dhe disa probleme të tij në Shqipëri” (2009).
• Në vitin 1998 ai ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë, dega Financë, ndërsa në vitin 2002 Fakultetin e Drejtësisë.
• Bujar Leskaj ka marrë një diplomë për mësimdhënie në nivel masteri në Administrim Publik në Universitetin e Nebraskës- Linkoln, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Departamenti i Menaxhimit.
• Në vitin 2004 ka marrë titullin “Avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve, ndërsa në shkurt 2005 ka bërë specializim për Financat Publike në Universitetin “Bamberg” në Gjermani.
• Sa i përket veprimtarisë profesionale ka qenë kryetar i Degës së Doganës në Vlorë dhe në prill-gusht 1997 nëndrejtor i Përgjithshëm i Doganave.
• Në periudhën 2000-2005 ka qenë lektor i lëndës “Paraja dhe Banka” në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. Këtë lëndë vazhdon ta japë edhe aktualisht.
• Nga viti 1997 është aktivist i PD-së, deputet në periudhën 2005-2009 dhe ministër i Kulturës në periudhën 2005-2007. Aktualisht është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
• Gjithashtu ka botuar librat “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009”, “Brenda dhe Jashtë… PARLAMENTIT (maj 2007-maj 2009)” “Senjorazhi” – Punim Doktorature etj.
Rrëzimi i Sali Shehut
Partia Demokratike rrëzoi dy javë më parë dekretin e Presidentit Topi për të emëruar ish-deputetin dhe anëtarin e Kryesisë së kësaj partie, Sali Shehun, në pozicionin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas demokratëve, kandidatura e Shehut u rrëzua për shkak se Topi nuk ishte konsultuar më parë me maxhorancën, Shehu ishte ende anëtar i PD-së dhe nuk plotësonte kriteret e duhura ligjore për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit.











