VLORË- Urimet për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, kreu i shtetit, Bamir Topi i ka bërë nga sheshi i Flamurit në Vlorë. Topi ka qenë i pranishëm në ceremoninë festive të zhvilluar paraditen e sotme në këtë qytet, ku ka ndarë me të pranishmit emocionet e ditës së shënuar.
Presidenti ka vendosur kurorë me lule në varrin e Ismail Qemalit si dhe ka nderuar flamurin tonë kombëtar në Vlorë.
“Nderimi ynë shkon për Atin e Kombit, pagëzuesin e pavarësisë, Ismail Qemalin, njeriun model të sakrificës, urtësisë dhe vendimeve të mëdha”, tha Topi, duke vlerësuar figurën e Ismail Qemalit.
Sipas Topit, projekti i nisur në vitin 1912 u pasua në shkurt të 2008 me Pavarësinë e Kosovës.
“Tani jemi dy shtete të pavarura, dy shtete me të njëjtat ndjesi dhe aspirate. Dy shtetet tona kanë si bazë trashëgiminë e të parëve. Të impenjohemi për të ardhmen europiane” theksoi presidenti.
“Ta festojmë së bashku këtë festë, të forcojmë lidhjet midis nesh, sepse veprat e mira për kombin duke bashkëpunuar e bashkëvepruar”, tha Topi.
© Panorama.al











