Topi pritet nga Kataneo: Italia, partner strategjik

Nov 26, 2011 | 13:57

TORINO- Presidenti Bamir Topi, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Torinos, Piero Fasino, u prit sot nga Presidenti i Këshillit Rajonal të Piemontes, Valerio Kataneo. Vlerësimi i marrëdhënieve dhe thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve ka qenë në qendër të takimit të zhvilluar.

Topi shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme dhe të çmuar të Italisë për Shqipërinë gjatë periudhës së tranzicionit për konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të saj, si edhe për mbështetjen ndaj aspiratës së popullit shqiptar për integrim në familjen e madhe evropiane. “Shqipëria shikon tek Italia një partner strategjik, një vend dhe një popull mik me të cilin ne kemi shprehur qartë dhe kemi dëshmuar prioritetet e bashkëpunimit të gjithanshëm në funksion të interesave të vende dhe popujve tanë”, – tha Presidenti.

Ai theksoi mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, duke theksuar rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve ekonomiko-tregtare si shtimin e numrit të investitorëve piemontezë në vendin tonë.

Presidenti i Këshillit Rajonal të Piemontes, Kataneo vlerësoi vizitën si tregues pozitiv i marrëdhënieve tradicionalisht shumë të mira e të afërta që ekzistojnë mes dy vendeve e popujve tanë.

© Panorama.al

Te lidhura