Topi në Ohër: Të vazhdojnë bisedimet Kosovë-Serbi

Jul 13, 2011 | 10:38

Në takimin e katër presidentëve ballkanas në Ohër, liderët e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës ranë dakord për nevojën e rritjes së bashkëpunimit rajonal si hap i rëndësishëm për integrimin e plotë të vendeve tona.Liderët vlerësuan gjithashtu si të rëndësishme bisedimet Kosovë-Serbi dhe inkurajuan arritjen e marrëveshjeve konkrete. Takimi i organizuar në Ohër nga Presidenti maqedonas, Gorge Ivanov, ishte i treti i këtij lloji, i iniciuar nga Presidenti shqiptar, Bamir Topi. Presidenti Bamir Topi, George Ivanov (i Maqedonisë), Atifete Jahjaga (e Kosovës) dhe Filip Vujanoviç (i Malit të Zi) e kanë vlerësuar shumë aktivitetin tashëm tradicional duke theksuar se ky takim i tretë mes katër krerëve të shteteve, si dhe takimet dypalëshe ku shprehen mendimet e sugjerimet e tyre për rritjen dhe thellimin e bashkëveprimit, do të jenë patjetër një kontribut i dobishëm në funksion të forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes katër vendeve fqinje, në përmbushje të interesave të ndërsjella politike, ekonomike etj. Ata theksuan se me këtë takim do të shënojnë një hap tjetër konkret e domethënës të përkushtimit serioz e të përbashkët për të përshpejtuar integrimin e plotë të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi në strukturat europiane dhe euroatlantike. Takimi u vlerësua gjithashtu si mjet për forcimin e një imazhi pozitiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Aty u ritheksua dedikimi dhe vendosmëria e përbashkët në interes të forcimit të bashkëpunimit rajonal, përparimit ekonomik për të përballuar së bashku probleme, kriza dhe sfida, si dhe për të koordinuar nismat e mëtejshme e qëndrimet e përbashkëta mbi çështje rajonale e globale. Pas përfundimit të takimeve dypalëshe dhe takimin përfundimtar mes katër liderëve, ata mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp. Presidenti Topi e konsideroi një traditë të mirë “për vendet tona dhe bashkëpunimin rajonal në progresin për dialog të shkëlqyer politik!”. Ai kujtoi se “që nga viti 2009, pas takimit të Vlorës, por edhe në takimin në Prizren, takimi i Ohrit sjell një situatë të re me një organizim më të mirë, me një pozicionim më të qartë të vendeve tona dhe ajo çka e bën më të lehtë është pikërisht orientimi ynë i përbashkët euro-atlantik”, theksoi Topi.

Me Jahjagën

Në samitin e Ohrit mes katër presidentëve ballkanas, ku ata zhvilluan edhe takime dypalëshe, takimi i parë i Presidentit Topi ishte me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ndërsa vlerësoi pavarësinë e Kosovës, Topi premtoi angazhimin e Shqipërisë përkrah këtij vendi. Presidentja Jahjaga vlerësoi rolin e Shqipërisë në takimin e 38-të të ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike në Astana, Kazakistan, ku u arrit të miratohej një rezolutë e propozuar nga Shqipëria mbi Kosovën. Topi dhe Jahjaga kanë vlerësuar se bashkëpunimi në rajon është shumë i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe.

Me Ivanov

Presidenti Topi dhe homologu maqedonas, George Ivanonv, shprehën vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe. Topi shprehu mbështetjen pa hezitim të Shqipërisë për integrimin e Maqedonisë në NATO e BE. Ai kujtoi edhe faktorin shqiptar në këtë vend, si element stabiliteti. Presidenti Ivanov e ka vlerësuar iniciativën e takimeve mes presidentëve të iniciuar nga Presidenti Topi, duke u shprehur se ajo që filloi në Vlorë si një proces, tani është një detyrim i cili duhet çuar përpara. Ai ndau të njëjtin mendim me Topin se tashmë duhet të kalohet në një nivel më ambicioz të marrëdhënieve dypalëshe.

Me Vujanoviç

Presidenti Topi u takua dje edhe me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, me të cilin zhvilloi një bisedë mjaft të ngrohtë e miqësore të fokusuar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Vujanoviç shprehu nevojën e përmirësimit të infrastrukturës që lidh dy vendet, çka do të lehtësonte më tej komunikimin pozitiv me tyre. Topi theksoi nevojën e impenjimit për tërheqjen e sa më shumë investimeve për projekte të përbashkëta, si ai për Liqenin e Shkodrës dhe Lumit Buna, të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Namuna e për zhvillimin e turizmit në interes të përbashkët.

© Panorama.al

Te lidhura