Zgjedhjet, Topi: Të flasin institucionet ligjore

May 30, 2011 | 19:28

VLORE- Presidenti i vendit, duke ritheksuar se integrimi mbetet nje nga sfidat me te medha qe kemi perpara, ka deklaruar sot se per rezultatet e zgjedhjeve vendore duhet te flasin institucionet.

“Jemi në pritje të vendimit të institucioneve të ligjit, ato duhet të flasin duke pasur në kosnideratë statusin e tyre ligjore dhe moral”- tha Topi, nga Vlora, ku mori pjese në Manovrën Ushtarake Detare, zhvilluar në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë dhe më saktësisht, në gjirin e Vlorës.

Në këtë stërvitje ushtarake detare, me emrin e koduar “Luani i Albionit” ku janë të përfshira anije britanike dhe holandeze, Presidenti Topi u shoqërua mes te tjeresh edhe nga Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekuilam dhe Ambasadori i Mbretërisë së Holandës Kornelis Van den Dol.

Vizita e Presidentit Topi  filloi mbi Urë, duke vazhduar me Dhomën e Operacioneve të Kombinuara, duke zbritur tek bordi i Makinave drejt dokut, me ndalesa në çdo pikë.

Gjatë komunikimit me pjesëtarë të bordit të anijes, Presidenti i Republikës është njohur me disa prej detajeve të rëndësishme ushtarake dhe të përgatitjes profesionale të tyre.

Kryetari i Shtetit shprehu vlerësim dhe mirënjohje për angazhimin e tyre të lartë, duke theksuar bindjen se bashkëpunime të tilla i shërbejnë rritjes profesionale dhe konsolidimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, të cilat tashmë denjësisht qëndrojnë krahë homologeve të tyre në vendet anëtare të NATO-s.

© Panorama.al

Te lidhura