Topi, në familjen Hajdari: I lirë dhe bashkëpunues i kauzave të mëdha

Sep 12, 2011 | 14:37

TIRANË- Presidenti Bamir Topi, zhvilloi sot në mesditë një vizitë në familjen e “Pishtarit të Demokracisë”, Azem Hajdari, njërit prej politikanëve dhe deputetëve më të spikatur në historinë e demokracisë shqiptare, i cili u vra 13 vjet më parë në Tiranë.

Topi u takua me bashkëshorten, fëmijët dhe të afërmit e të ndjerit Azem Hajdari. Pas takimit Topi për mediat vlerësoi Hajdarin se deklaroi si një njeri që ka demonstruar të jetë i lirë, edhe atëherë kur shumë njerëz ishin të kompleksuar.

“Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë ne e vlerësojmë Azemin. Pra, një njeri që ka demonstruar të jetë i lirë, edhe atëherë kur shumë njerëz ishin të kompleksuar. Por edhe pse kalojnë vitet, vështirë se gjendet një figurë paralele me Azem Hajdarin, për kurajon civile, për kurajon qytetare, për të demonstruar në çdo lloj mjedisi që njeriu, para se të realizojë vepra të mëdha, duhet të jetë së pari një njeri i lirë. E dyta, për të qenë i predispozuar për të bashkëpunuar, dhe Azemi ka qenë nga ata njerëz që dinte të bashkëpunonte për kauza të mëdha. Kjo është arsyeja që ai respektohet, pavarësisht që vitet kalojnë dhe ai mbetet gjithmonë një figurë shumë e freskët për shoqërinë dhe demokracinë shqiptare”- tha Topi.

© Panorama.al

Te lidhura