Topi: Në 100 vjetor t’i japim vendit statusin

Nov 28, 2011 | 19:46

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi në një pritje në Pallatin e Brikadave ne nderim te 99- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, bëri thirrje që në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë politika të jetë më e arsyeshme dhe e përgjegjshme, ku interesat kombëtarë të mbizotërojnë mbi ato politike dhe personale.

Në pritje, të pranishëm ishin edhe kryeministri, Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Presidenti Topi nderoi themeluesit e shtetit modern shqiptarë, ndërsa u ndal edhe tek realiteti politik.

“Sot është realitet, Shqipëria është anëtare në NATO dhe me mbështetje të lartë qytetare për integrimin  në Bashkimin Evropian. Referuar aktualitetit politik, gjatë këtij viti u shënua progres, sidomos në pjesëmarrje në zgjedhje të qytetarëve dhe debate politike. U harxhuan energji duke vendosur axhenda paralele politike mbi ato kombëtare. Politika këto ditë është kthyer në dialog, shpresa dhe inkurajimi im  është se arsyeja dhe përgjegjësia duhet të mbizotërojnë mbi çdo interes politik. Në 100 vjetorin e pavarësisë, t’i japim vendit reformat e duhura”- tha ndër të tjera Topi.

Duke ju referuar nisjes së festimeve në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, presidenti tha se “nderimi më i madh që mund të bëjmë është të përsosim modelin shetëror drejt atij niveli për të cilin janë sakrifikuar themeluesit.”

Sipas tij, s’ka nderim më të madh se sa të marrim ftesën për në Bashkimin Evropian, të forcojmë drejtësinë dhe shtyllat themelore të vendit, sistemin funksional të drejtësisë, model të mirë qeverisës dhe misonin social të shtetit, duke shtuar se, Shqipëria e ka fuqinë dhe forcën për ta bërë këtë.

“Ta bëjmë këtë si një kthim borxhi që politika i ka qyetarëve.”- tha Topi.

Presidenti dërgoi një përshëndetje për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Evropë, SHBA dhe kudo, duke përmendur në mënyrë të veçantë forcat ushtarake shqiptare që janë pjesë e misioneve paqeruajtëse në botë.

© Panorama.al

Te lidhura