Topi,Ivanov:Fqinjësia e mirë,përparësi e politikës

Jun 3, 2012 | 14:20

Presidenti Bamir Topi ka zhvilluar sot nje takim me homologun maqedonas, Gjorgje Ivanov, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e 10-të të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore.

Në bisedën mes tyre u diskutuan për çështje të rëndësishme e me interes të ndërsjellë, në zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duke shprehur dëshirën dhe vullnetin për rritjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, për investime të përbashkëta në hapësirat dhe infrastrukturën që mundëson përdorimin e frytshëm të resurseve turistike, e veçanërisht në fushën kulturore-artistike.

Presidenti Topi gjate fjales se tij nënvizoi se Shqipëria dhe Maqedonia do të vazhdojnë të angazhohen maksimalisht për arritjen e një niveli të lartë marrëdhëniesh, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian.

“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë janë e do të mbeten në vazhdimësi një përparësi e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë duke mirëpritur anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike në funksion të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon”- tha Topi.

Nga ana e tij, Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, vuri në dukje se bashkëpunimi gjithnjë e në rritje mes Krerëve të Shteteve të Ballkanit e më gjerë, do të ndikojë pa diskutim në të ardhmen e përbashkët integruese evropiane, por dhe të mbarë rajonit.

Në këtë drejtim, të dy Presidentët vlerësuan takimin e Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore të organizuar nga UNESCO, si një iniciativë e rëndësishme që nxit më tej marrëdhëniet e ngushta mes vendeve tona dhe evidenton vlerat e traditave historike e kulturore të popujve tanë.

© Panorama.al

Te lidhura