Topi e Rama në homazhe për Hanën, mungon Berisha

Jan 11, 2012 | 13:21

Presidenti Topi, dje gjatë homazheve për prokurorin Xhevat Hana

Përcillet në banesën e fundit prokurori i dosjes “Remzi Hoxha”, vdiq nga një sëmundje e rëndë.

Rrallëherë në godinën e Qendrës Kulturore të Ushtrisë në Tiranë ka pasur aq dhimbje e krenari të mbledhura së bashku. Me qindra kanë qenë kolegët, miqtë, të afërmit, familjarët, por edhe qytetarët që i dhanë dje lamtumirën e fundit, prokurorit të Krimeve të Rënda, Xhevat Hana. Në nderim të tij bëri homazhe kreu i shtetit, Presidenti Bamir Topi, kryetari i PS, Edi Rama dhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama ndërsa mungoi kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe një numër familjarësh të Remzi Hoxhës, të ardhur posaçërisht nga Kosova. Ata thanë dje se e ndienin për detyrim ta nderonin prokurorin e vdekur për guximin që tregoi me hapjen e hetimeve dhe ngritjen e akuzës për zhdukjen e të afërmit të tyre. Kolegë të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Prokurorisë së Tiranës dhe prokurorive të rretheve, janë përkulur në nderim të prokurorit që la gjurmë dhe emër në historinë e organit shqiptar të akuzës. Zyra për shtyp e Presidencës njoftoi dje se kreu i shtetit, Bamir Topi, bëri homazhe paradite në nderim e vlerësim të veprimtarisë e kontributit profesional të prokurorit të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Xhevat Hana, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë. Në ambientet e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura në Tiranë, Kreu i Shtetit, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit, u përkul me respekt duke vendosur një kurorë me lule pranë trupit të pajetë të të ndjerit, si dhe u takua me familjarët e tij, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e pazëvendësueshme të njeriut të tyre të dashur. Presidenti Topi shprehu konsideratat për personalitetin dhe profesionalizmin e lartë të prokurorit Xhevat Hana, duke lënë një shënim në “Librin e Ngushëllimeve” të hapur me këtë rast. Pas ceremonisë së homazheve që zgjati disa orë për shkak të pjesëmarrjes së lartë, trupi i pajetë i prokurorit Xhevat Hana është përcjellë në banesën e fundit. Ai lë një vend të madh vakant në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku mbronte akuzën në emër të shtetit në dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës, një nga çështjet më misterioze me të cilat është përballur drejtësia shqiptare. Prokurori Xhevat Hana, me një karrierë të gjatë në organin e akuzës që nga Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme e së fundi Prokuroria e Krimeve të Rënda, lë pas një histori të pazakontë.
Vdekja e prokurorit
Xhevat Hana, 58 vjeç, u nda nga jeta më 5 janar në një spital në Bergamo të Italisë, pas një sëmundjeje të rëndë. Prokurori kurajoz kishte muaj që përballej me problemet shëndetësore ndërsa që të hënën, më 9 janar 2012, trupi i tij i pajetë mbërriti në Aeroportin e Rinasit. Prokuroria e Përgjithshme mori përsipër organizimin e ceremonisë së homazheve dhe varrimit të prokurorit Xhevat Hana. Që nga viti 2004, ai personifikohej si prokurori i dosjes “Remzi Hoxha”. Në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Theodhori Sollaku, dhe kur Xhevat Hana ishte pjesë e akuzës qendrore, ai mori përsipër rihapjen e hetimeve për zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit, për të cilin nuk ka gjurmë që nga 21 tetori i vitit 1995. Rihapja e dosjes u bë pas raporteve të vazhdueshme të Amnesty International, si dhe pas investigimeve të bëra nga Avokati i Popullit në Tiranë. Xhevat Hana vendosi nën akuzë katër ish-zyrtarë të lartë të Shërbimit Informativ, të dyshuar si personat që kanë organizuar dhe zbatuar ndalimin e Remzi Hoxhës në tetor 1995 dhe më pas e kanë marrë atë në pyetje në bazën e Vainit në Lezhë, duke e keqtrajtuar e torturuar.

Homazhet: Gjyqtarët i japin lamtumirën prokurorit
TIRANE – Trupa gjyqësore e Gjykatës për Krimet e Rënda ishte e pranishme dje në homazhet për nder të Xhevat Hanës, prokurorit të Krimeve të Rënda, që ndërroi jetë pak ditë më parë në Itali. Në respekt të kujtimit të tij, anëtarët e Gjykatës për Krimet e Rënda iu shtuan radhës së njerëzve të shumtë që morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Qendrës Kulturore të Ushtrisë. Pjesëmarrja e tyre “ngriu” për pak kohë punën në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ditën e sotme, kjo Gjykatë pritet të shtyjë procesin gjyqësor në ngarkim të tre të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Shkak për këtë është fakti që përfaqësues i akuzës në këtë proces ishte prokurori Xhevat Hana. Prokurori Hana u nda nga jeta më 5 janar për shkak të një sëmundjeje të rëndë, teksa po kurohej në një spital në Itali.

Kush ishte Xhevat Hana

Xhevat Hana

Prokurori Xhevat Hana kishte lindur në Librazhd, më 28 mars 1953. Ai e filloi karrierën e tij në organet e hetimit në Mat dhe më pas ushtroi detyrën në Sarandë, në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme. Vitet e fundit, ai ka punuar si prokuror pranë Prokurorisë Për Krimet e Rënda Tiranë. Xhevat Hana në periudhën 2003-2005 ka qenë këshilltar juridik i Presidentit të Republikës, si dhe ndihmëskomisioner në institucionin e Avokatit të Popullit. Gjatë karrierës së tij në Prokurorinë e Tiranës, Xhevat Hana ka hetuar disa prej dosjeve që kanë të bëjnë me ngjarjet e vitit 1997 në Vlorë, ndërsa më pas, në Prokurorinë e Përgjithshme ka marrë pjesë, veç hetimit të dosjes së Remzi Hoxhës, edhe në hetimin e dosjes së rrugës “Durrës-Kukës”. Hana njihej si prokuror i përkushtuar dhe kurajoz, ndërsa dallohej edhe për këmbënguljen e kurajën në punën hetimore me dosjet e tij.

TRAZHGIM SOKOLAJ

 

© Panorama.al

Te lidhura