Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu drejtua dje deputetëve me një fjalim për hapjen e sesionit të ri parlamentar duke theksuar rëndësinë e votimit të ligjeve me shumicë të cilësuar. Ajo deklaroi se vota për këto ligje të nevojshme për plotësimin e 12 kritereve të vendosura nga BE-ja nuk pranojnë kushte apo pazare. “Fjalët duhet të kthehen në vepra. Votimi për 12 rekomandimet është detyrë ndaj vendit. Dhe kjo nuk pranon as kushte, as pazare. Jashtë kësaj salle, shqiptarët, bashkë, të gjithë, duan e punojnë për Shqipërinë drejt BE-së. Brenda kësaj salle ne i përfaqësojmë të gjithë këta shqiptarë që kanë konsensus. Ne, të gjithë së bashku kemi privilegjin e detyrën për ta bërë të mundur një objektiv të tillë”, tha Topalli. Ajo u kujtoi deputetëve përgjegjësinë e tyre si deputetë dhe politikanë. “Të gjithë ne jemi betuar para Kushtetutës për të punuar në të mirë të kombit, në drejtim të interesave publike dhe për integrimin e vendit. Çdo deputet duhet ta nderojë këtë betim. Ne jemi deputetët e dekadës së tretë të demokracisë. Dhe kjo rrit përgjegjësitë. Ne duhet të udhëhiqemi nga arsyeja e shtetit. Përgjegjësia peshon. Ne të gjithë themi se e duam Shqipërinë. Por këtu, në këtë sallë, me votë, çdo deputet, të gjitha forcat politike duhet t’i japin kuptim kësaj. Si kryetare e Kuvendit unë dua të jem besimplote se ju të gjithë do të merrni përgjegjësitë dhe do t’u shërbeni interesave të Shqipërisë. Këtu është vendi. Këtu ka qenë. Tani të përveshim mëngët që të fitojmë kohën e humbur; që askush të mos thotë pastaj pse mbetëm pas. Unë jam e dua të jem optimiste”, tha Topalli.











