Përpara se të kalohej në momentin e votimit, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, i bëri edhe njëherë thirrje opozitës të votojë ligjet me 3/5, pasi seanca e djeshme ishte edhe shansi i fundit përpara se të publikohet në Bruksel progres-raporti për Shqipërinë. Ajo u shpreh në fjalën e saj se statusi varet nga opozita dhe ajo duhet të japë votën pro. “Që Shqipëria të ecë drejt një stacioni të ri integrimi, varet nga opozita. Ky është fakt. Dhe askush nuk mund ta mohojë. Për fatin e keq, statusi nuk varet vetëm nga maxhoranca. Vizat vareshin nga maxhoranca. Dhe ato u hoqën. Statusi varet nga opozita. Sot, pa votën pro tuajën, të nderuar kolegë, Shqipëria mund të pengohet. Unë kam respekt për burrat. Burrat e mbajnë fjalën. Ndaj ne themi ‘fjala e burrit’. Burrat nuk gënjejnë, të paktën kështu thuhet”, tha Topalli. Sipas saj, “ne dimë të punojmë me njëri-tjetrin. Kemi bërë ndryshime të mëdha në ligje tri vite më parë. Ne jemi të hapur për t’ju dëgjuar. Ne do të shqyrtojmë me seriozitet propozimet tuaja edhe për Rregulloren e Kuvendit. Integrimi nuk pranon kushte. Ne nuk vendosim kushte për integrimin”. Kryeparlamentarja i përsëriti edhe njëherë opozitës ofertën për të zgjedhur Avokatin e Popullit dhe nisjen e punës për reformën zgjedhore. “Maxhoranca ka bërë oferta. Oferta që kur unë isha në opozitë, nuk ndodhnin. Oferta që ju të sillni emrin e Avokatit të Popullit është unike. Nuk ndodh kund. Ti opozitë propozo, unë maxhorancë votoj. Oferta që opozita, bazuar në rekomandimet e ODIHR-it, të propozojë e maxhoranca të votojë, është unike. Nuk ndodh kund në botë. Kryetari i Grupit Parlamentar, z. Astrit Patozi, zyrtarisht ju ka ofruar ‘t’i kërkojmë ODIHR-it të na asistojë’. Kjo është një tjetër garanci për opozitën. Por përgjigje nuk ka. Axhenda e integrimit kërkon votën tuaj. Ëndrra e shqiptarëve sot varet nga vota juaj”, tha Topalli.











