TIRANË- Vazhdim të politikave lehtësuese ndaj biznesit dhe thellim të partnershipit mes tij dhe legjislativit si një kusht themelor për zhvillimin. Kështu është shprehur sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në hapje të Forumit të dytë të biznesit të Detit të Zi. Në fjalën e hapjes duke mirëpritur vizitorët, Topalli ka bërë një panoramë të gjendjes në vend, duke u ndaluar në masat efikase të ndërmarra nga qeveria, që bënë të mundur shmangien e krizës, në një kohë, kur sipas saj vendi rrethohet nga kriza.
“Jemi mbledhur në këtë platformë me qëndrim të vecantë, sepse kemi kuptuar se platforma në të cilën realizojmë partnershipin mes biznesit, ekonomisë dhe politikës është më efektive”- tha ajo.
Sipas Topallit, maxhoranca në Shqipëri është përpjekur të bëjë maksimumin. “Ne jemi vend i vogël, por me ambicie të madhe, kemi humbur shumë kohë, por shqiptarët janë popull me energji të madhe dhe të jashtëzakonshëm. Dy janë shtyllat kryesore në të cilat u angazhuam, ulja e dy mureve, ulja e barrës burokratike dhe barra fiskale”- theksoi ajo.
Ajo kujtoi se vetëm gjatë viteve të fundit është hequr 2/3 e licencave dhe lejeve dhe pjesa e mbetur është vendosur në one stop shop. ”Kemi aplikuar një model ekonomik përpara se të niste kriza, që ka rezultuar e suksesshme, ulje taksash, liri fiskale, administratë e vogël, investime në infrastrukturë, ne do e bëjmë vendin me infrastrukturë moderne”- tha Topalli.
© Panorama.al











