Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka shprehur sot ngushëllimet ndaj familjes së policit të vrarë në Peqin, Sabit Caka duke shprehur hidhërimin e thellë dhe dhimbjen për vrasjen në krye të detyrës të efektivit të policisë.
Kryetarja e Kuvendit tha se kjo është një humbje e madhe për familjen, për Policinë e Shtetit dhe për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Mesazhi i plotë i ngushëllimit nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli;
“Me hidhërim të thellë dhe dhimbje të madhe mësova për vrasjen në krye të detyrës të efektivit të policisë zotit Sabit Caka. Kjo është një humbje e madhe për familjen, për Policinë e Shtetit dhe për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Akti sublim i efektivit të forcave të rendit të Peqinit, Sabit Caka në mbrojtje të rendit dhe sigurisë tregon guximin, ndershmërinë, përkushtimin në kryerjen e detyrës me vetmohim dhe devotshmëri të lartë. Sakrifica sublime e Sabitit u krye duke qenë në krye të detyrës, duke luftuar në emër të ligjit dhe duke mbrojtur shtetin e tij.
Ndarja nga jeta e babait, bashkëshortit dhe kolegut të pazëvendësueshëm për fëmijët, gruan, të afërmit dhe shokët e tij, është një dhimbje e madhe për të gjithë shoqërinë. Në këtë kohë dhimbjeje, shpreh besimin se parimet e virtytet e sistemit tonë të vlerave, do të fitojnë mbi të keqen. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë shpreh ngushëllimet e mia dhe lutemi të gjithë bashkë që shpirti i tij të prehet në paqe!”
© Panorama.al











