Kryetarja e Parlamentit, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli, në një konferencë për shtyp të bërë përpara mediave në selinë e PD-së, shprehu mbështetjen për të gjithë komisionerët dhe numëruesit e procesit zgjedhor. Ajo e ftoi kryetarin e opozitës të deklarohet se do të pranojë rezultatin për këtë proces, duke shënuar një risi të historisë zgjedhore. “Ftoj Ramën të deklarohet se do të njohë rezultatin në çdo bashki e komunë. Kjo do të ishte një nga surprizat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri” tha Topalli, duke u kërkuar numëruesve të zbatojnë ligjin “siç kanë bërë deri tani”. Këtë deklaratë, nënkryetarja e PD-së e bëri gjatë një prononcimi për shtyp nga selia e Partisë Demokratike. Topalli theksoi se koalicioni i djathtë është aleanca kryesore në vend. “Ky proces ende nuk ka përfunduar, prandaj ne jemi të vendosur, ashtu siç ju kemi premtuar, të presim me qetësi rezultatet e shpallura nga komisionet zonale të qeverisjes vendore, si dhe certifikimin e tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në rrafsh kombëtar, koalicioni “Aleanca për qytetarin” është aleanca kryesore e vendit. Numëruesit dhe komisionerët janë heronjtë e ditës. Gjithë Shqipëria i ka sytë tek ata. Shqiptarët dje kanë votuar për administratorët lokalë në paqe, qetësi dhe rregull, si europianë nga Tropoja deri në Delvinë. Procesi ka të gjitha garancitë të përmbyllet me sukses, ashtu siç nisi dhe vazhdoi gjatë gjithë këtij muaji”, u shpreh Topalli. Sipas saj, administratorët lokalë duhet të kurorëzohen ashtu siç u votuan dje nga votuesit e tyre në bashki dhe komuna: me dinjitet europian”. Sipas nënkryetares së Partisë Demokratike, koalicioni “Aleanca për qytetarin” do të respektojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. “Jemi të vendosur të presim me qetësi rezultatet e shpallura nga KZAZ-të e qeverisjes vendore dhe certifikimin e KQZ-së”, nënvizoi Topalli. Ajo shtoi gjithashtu se “në rrafsh kombëtar, koalicioni ‘Aleanca për qytetarin’ është kryesore”. Topalli i konsideroi numëruesit si heronjtë e ditës, tek të cilët “Shqipëria i ka sytë”. Duke iu referuar votimit të djeshëm, nënkryetarja e PD-së tha se procesi ishte i rregullt dhe “ka të gjitha garancitë të përmbyllet me sukses”.











