Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, merr pjesë në Forumin Parlamentar për Demokraci, i cili u mbajt në Uashington mes personaliteteve nga e gjithë bota. Në fjalën e saj para përfaqësuesve nga rreth 100 vende të botës, ajo u shpreh se Shqipëria ka bërë një progres të madh nga 20 vjet më parë kur u rrëzua regjimi komunist. Duke e nisur me ngjarjet e para dy dekadave ajo theksoi se “20-vite më parë, shqiptarët më në fund fituan lirinë, dhe këtu fillon magjinë e vetë e munguara jonë e madhe. Këtu fillon dhe mrekullia e lirisë! Këto 20 vite kanë qenë vite të reformave e transformimeve të guximshme. Në këto pak vite, shqiptarët kanë rikuperuar shekuj të gjatë. Atë që të tjerët e kishin arritur në shekuj, ne po përpiqemi ta rikuperojmë vetëm në pak vite. Edhe në këto 20 vite, demokracia ka pasur uljet e ngritjet e saj. Gjatë tranzicionit kemi kaluar një krizë të rëndë të spekulimeve financiare në vitin 1997. Por, gabimet na kanë bërë të mësojmë. Integrimi në BE është objektivi strategjik i kombit”. Sipas kryeparlamentares, sot Parlamenti ka si axhendë kryesore reformat, pavarësisht se disa ligje që kërkojnë shumicën e cilësuar nuk janë votuar nga opozita. “Parlamenti është institucioni kyç në demokraci. Aty konfrontohen momentet kyçe të vendimeve kombëtare. Në vendin tim, lajtmotivi i axhendës së Parlamentit janë reformat. Ka pasur periudha kur opozita nuk ka votuar reforma që kërkojnë 3/5 e votave. Kjo ka qenë e dhimbshme për mua. Pavarësisht kësaj, Parlamenti i ka qëndruar fort misionit të tij. Ligjet e reformat realizuan vazhdimin e një transformimi tërësor të vendit. Vendi im ka dyfishuar të ardhurat; vetëm në 4 vite ka dhjetëfishuar numrin e turistëve, ka trefishuar eksportet, ka katërfishuar investimet e huaja në 5 vitet e fundit. Në çdo shkollë ka laboratorë kompjuterikë”, theksoi Topalli. Ndërsa kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, John Boehner, gjatë fjalës së tij vlerësoi rolin që ka luajtur Forumi Parlamentar për Demokraci në fuqizimin e demokracisë. Ai theksoi se “Kongresi i SHBA do të vazhdojë të jetë partner i të gjithëve ju. Me progresin që ka nisur këto 20 vitet e fundit, edhe 20 vitet që do të vijnë, atëherë do të ketë më shumë demokraci, kudo në botë”.











