NGA AGRON LOCI 
Leskovaci, një qytet i vogël në jug të Serbisë, që për koinçidencë ndodhet në një largësi gjeografike në mes të Tiranës dhe Beogradit, do të jetë sot në mbrëmje qendra e vëmendjes së opinionit publik shqiptar dhe serb, por jo vetëm. U zgjodh ky qytet i vogël për këtë ndeshje delikate, pasi Beogradi, në ndryshim nga Tirana, tregoi edhe njëherë se nuk është në gjendje të garantojë sigurinë për zhvillimin normal të një ndeshjeje futbolli, për më tepër të një përballje të tillë, që bart në vetvete më shumë histori, politikë, tension etnik sesa një garë sportive.
Në fakt, qysh në momentin kur shorti për eliminatoret e kampionatit botëror në futboll na vuri sërish përballë fqinjit tonë verior, gjithkujt me siguri i është kujtuar ajo që ndodhi një dekadë më parë në takimin e Beogradit dhe natyrshëm i kanë shkuar ndërmend një sërë pyetjesh. A do të përsëriten sërish ato skena? Sa të sigurta janë takimet sportive mes vendeve tona ku paragjykimi, urrejtja nacionale, politika mbizotërojnë mbi garën sportive? A do jetë fusha këtë herë ajo që do të vendosë për garën sportive apo do të jetë sërish gjykata ? Ndërsa Tirana disa muaj më parë e “kaloi provën e zjarrit”, Beogradi nuk mundi. Një dekadë më parë, ajo që ndodhi në kryeqytetin serb gjatë asaj ndeshje futbolli i kapërceu kufijtë e dimensionit sportiv duke u bërë brenda pak minutave lajmi kryesor në mediat botërore jo për atë që prodhoi sporti, por për kthimin e fushës në një arenë përplasjesh ndëretnike. Në thelb, ajo nuk ish veçse një përplasje mes mitit dhe fakteve historike, një përplasje kujtimesh dhe plagësh ende të pambyllura, në një rajon ku tensionet etnike vazhdojnë të jenë edhe sot ende shumë të pranishme.
Ndërkohë, sonte sytë e dy kombeve, por jo vetëm, do të jenë të drejtuar nga Leskovaci, aty ku ata 22 djem do t’u duhet që të mbajnë mbi supet e tyre edhe “përgjegjësinë” e dëshirën e ethshme të kombit që ata përfaqësojnë që në fund të ndeshjes të jenë ata “heronjtë” dhe jo “të mundurit”. Pesha psikologjike është shumë e rëndë ashtu sikundër është aq e madhe edhe dëshira për triumf, për fitore ndaj “armikut”, ndaj “të urryerit”, ndaj “tjetrit”. Pavarësisht se do të luajmë në një stadium me një numër të vogël spektatorësh, është e pritshme që atmosfera antishqiptare do të jetë e pranishme qysh në momentet e para dhe ku me shumë gjasa ndeshja do t’i ngjajë më tepër një tubimi politiko nacionalist sesa një gare sportive. Dhe nuk ka mjedis më të mirë sesa arenat sportive ku mund të shpërfaqet ndarja etnike, armiqësia që zgjat me shekuj mes nesh.
Aty ku individi ndjehet i çliruar dhe humbet në vorbullën e turmës, aty ku identiteti i tij njësohet me të masën, aty ku ai e ndjen veten të lirë të shpërthejë, e ndjen veten të mbrojtur dhe bëhet i padukshëm duke demonstruar qoftë edhe për dy orë thelbin e tij të mbrujtur prej dekadash nga politika, historia, akademikët, shkolla, media e deri tek kleri. Një propagandë e gjatë në kohë që ka arritur të skalisë në ndërgjegjen dhe psikologjinë e një pjese të madhe të serbëve mitin se shqiptarët janë “tjetri”, “i padëshiruari”, “armiku” që rrezikon ekzistencën e tyre. Një narrativë, që ka arritur të ndërtojë identitetin e tyre mbi mitin e frikës ndaj tjetrit, që në thelb është përpjekje për të refuzuar realitetin, duke mos pranuar të vërtetën dhe veten ashtu siç janë. Ndoshta përcaktimi i filozofit francez Paul Ricoeur për këtë gjendje i përafrohet shumë narrativës serbe për identitet teksa shkruan se : “Për të ndërtuar vetveten, kombi shpesh ka nevojë të shpikë dikë që nuk është vetja”. Në ndryshim nga serbët, shqiptarët nuk kanë pasur nevojë të “krijojnë apo të imponohen për të vërtetuar autoktoninë e tyre” apo të “krijojnë identitetin” përmes miteve apo shtrembërimit të fakteve historike.
Ndërkohë që prej shekujsh serbët janë përpjekur që identitetin dhe autoktoninë e tyre ta imponojnë përmes miteve dhe ngjarjeve historike të veshura me ngjyrime fetare dhe hyjnore si dhe me ngjarje apokaliptike që përshkruajnë sakrificat me të cilat i është dashur të përballet ky “komb martir” në mbrojtje të Krishterimit. Dhe në një masë të madhe “fajtorë” për këtë fat të tyre janë shqiptarët që nuk janë veçse “mbetje të osmanëve” të ardhur nga Anadolli, të cilët kanë pushtuar dhe janë vendosur padrejtësisht në atë hapësirë me të cilën është e lidhur historia dhe lavdia e tyre kombëtare. Ndaj edhe ndjenja e urrejtjes për tjetrin, që është ndryshe, që ka një gjuhë tjetër, besim tjetër, që nuk u asimilua prej mijëra vjetësh, pavarësisht pushtimeve të gjata romake, bizantine, sllave e osmane dhe përsëri arriti të mbijetojë është kaq e pranishme dhe e përhapur duke shkuar deri atje sa ta konsiderojë atë si një kërcënim etnik, kulturor, fetar dhe historik.
Në narrativën e tyre kombëtare serbët janë përpjekur historikisht ta përcaktojnë veten jo vetëm përmes asaj që ata pretendojnë se janë, apo se përfaqësojnë, por edhe përmes asaj që nuk janë, pra, në krahasim me një “Tjetër” që shihet si i ndryshëm madje i rrezikshëm duke ndërtuar stereotipa negativë që përdoren për të përforcuar ndarjen “ne” dhe “ata”.
Po nëse serbët ne na shohin si “tjetrin”, si duhet ta shohim dhe ta vlerësojmë ne këtë përcaktim?
Në fund të fundit është e vërtetë se ne si shqiptarë jemi të ndryshëm nga serbët. Jemi “tjetri”. Nëse për serbët ky ndryshim është ai që shihet si rrezik ekzistencialist, për ne historikisht pranimi i “të ndryshmit”, “i tjetrit” nuk është parë si rrezik për ekzistencën tonë. Një qasje e tillë përkon me idealet dhe vlerat e një bote të civilizuar që e pranontjetrin dhe nuk ka frikë nga prania dhe ekzistenca e tij. Në botën civile, pjesë e së cilës kërkojmë të bëhemi ne dhe serbët, “tjetri” është pjesë legjitime e së tërës, ai është pjesë e një mozaiku etnish të ndryshme që i jep fytyrën, identitetin një shteti. Sa më i pranueshëm të jetë tjetri si pjesë integrale e një shoqërie shumë etnike, aq më e civilizuar dhe e zhvilluar është ajo.
Po, ne jemi “tjetri”, pasi jetojmë në trojet tona prej mijëra vjetësh dhe e mbështesim identitetin tonë në gjuhën, kulturën, traditat, në të dhëna dhe fakte historike dhe shkencore për prejardhjen tonë, të cilat vlerësohen si një thesar në kulturën dhe historinë botërore. Dhe për fatin tonë historik në hapësirat dikur të banuara nga fiset ilire erdhën sllavët që në ndryshim nga ne identitetin e tyre janë përpjekur ta ndërtojnë duke ja mohuar atë banorëve autoktonë. Ne jemi “tjetri” se asnjëherë nuk e kemi përdorur besimin fetar si instrument përçarës, selektiv dhe diskriminues ndaj dikujt që ka një besim ndryshe. Dhe këtu ne jemi të ndryshëm nga fqinjët tanë serbë që fenë e kanë shumë përcaktuese në vendimmarrje të rëndësishme, por edhe në përcaktimin e identitetit të tyre kombëtar. Toleranca jonë fetare është unikale dhe shkon në një drejtim të kundërt me rolin dhe ndikimin që ka feja ortodokse serbe në zhvillimet në vend dhe orientimin e politikave.
Po ne jemi “tjetri”, pasi në ndryshim nga serbët aleatët tanë kanë qenë në pjesën më të madhe të historisë sonë vendet perëndimore dhe prej kohësh në ndryshim nga fqinjët tanë vazhdojmë të konsiderohemi si faktorë stabiliteti në rajon ndërkohë që e kundërta ndodh me ata të etiketuar si faktorë destabiliteti rajonal. Ky pozicionim pro perëndimor i yni nuk kish sesi të mos binte ndesh me projektin gjeopolitik sllav në rajonin tonë i ideuar dhe mbështetur nga Moska. Gjithsesi, koncepti i “tjetrit” i përpunuar nga serbët shërben jo vetëm për të kuptuar narrativën në procesin e ndërtimit të identitetit të tyre kombëtar, por edhe për të kuptuar sesi përmes tij krijohen perceptime dhe stereotipa që shpien në ndarje dhe përjashtime mes grupeve të ndryshme etnike. Kjo ka bërë që prej dekadash shqiptarët kudo ku janë të ktheheshin në shënjestrën e tyre politike. Ky perceptim për “tjetrin” nuk kish sesi të mos gjente pasqyrimin e tij edhe në sport. Sonte, do të jetë akti i radhës i përballjeve sportive mes nesh, ku padyshim dasitë etnike do të jenë dekori kryesor që do të zaptojë skenën sportive. Megjithatë, pavarësisht se thuhet dhe bëhet thirrje që kjo përballje të konsiderohet thjeshtë si një ndeshje futbolli, e rëndësishme është që Leskovaci, të mos hyjë në analet e ngjarjeve sportive për t’u përmendur si Beogradi 2.0.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











