Tjetër tragjedi në Kalimash, vdes në galeri 42-vjeçari

Nov 29, 2011 | 12:22

KUKES- Një tjetër viktimë është shënuar dje në galeritë e kromit në rajonin minerar të Kalimashit.

Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Laku i qershisë”, në sektorin Keçël, ku 42– vjeçari Xhevdet Batusha, lindur në Kalimash dhe banues në Kavajë, humbi jetën brenda në galeri teksa një masiv i madh dheu është shembur. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, kur babai i dy fëmijëve po gërmonte brenda galerisë së braktisur në Kalimash. Disa punëtorë të tjerë që gërmojnë në galeri për krom kanë ndërhyrë duke e nxjerrë që andej. Ata e dërguan në spitalin e Kukësit, por mjekët konstatuan se kishte ndërruar jetë. Ekspertë të policisë dhe prokurorisë, si dhe ata të Mjekësisë Ligjore, konfirmuan se vdekja e Batushës ishte shkaktuar nga plagët e shumta që kishte marrë në galeri. Batusha është viktima e tretë në harkun e dy muajve në këto galeri, ku minerali nxirret jashtë çdo kushti të sigurisë teknike. Banorët e fshatrave përreth minierës, por kryesisht të Kalimashit, prej vitesh merren me nxjerrjen e këtij minerali duke e shitur atë më pas te firmat private. Por, ky aktivitet shpeshherë ka shkaktuar dhe pasoja në njerëz. Firmat private që operojnë në këto zona thonë se banorët kryejnë aktivitet të paligjshëm, ndërkohë që instancat shtetërore nuk kanë mundur ta frenojnë këtë aktivitet që po merr jetë njerëzish. Në tre muajt e fundit, në qarkun e Kukësit janë shënuar shtatë viktima në galeritë e kromit, ndërsa dy vitet e fundit kanë gjetur vdekjen 13 veta. Dy muaj më parë gjetën vdekjen në afërsi të galerisë së djeshme dy persona, Besnik Halili, 55 vjeç, nga fshati Bushat i komunës Bicaj, si dhe Xhezahir Sulmata, 33 vjeç, nga fshati Mamëz. Ndërsa një i tretë mbeti i plagosur rëndë pasi u shemb galeria ku ata nxirrnin krom. Pak javë më parë, në minierën e fshatin Pac të Tropojës, gjetën vdekjen Dritan Neza, 20 vjeç dhe Erion Geci 23 vjeç. JONUZ HALLAÇI

© Panorama.al

Te lidhura