Tiranë, punonjësi i Drejtorisë Arsimore, prej 5 ditësh i zhdukur

Sep 11, 2011 | 11:28

TIRANE – Një punonjës i Drejtorisë Arsimore të kryeqytetit rezulton i zhdukur prej mëse pesë ditësh, ndërsa familja e tij kërkon ndihmë nga policia dhe kushdo që ka informacion. Ditën e hënë, më 5 shtator, shtetasi Arjan Kerçiku ka dalë si çdo ditë nga banesa e tij dhe është nisur për në punë. Ai është punonjës turni te Drejtoria Arsimore përballë godinës së Parlamentit. Një pjesë të rrugës e ka bërë me gruan si çdo ditë dhe më pas ka vazhduar të ecë, duke humbur gjurmët që nga ai moment. Sipas vajzës së të zhdukurit, Arjan Kerçiku nuk ka shkuar në punë atë ditë. Deri në orën 14:30, punonjësi i Drejtorisë Arsimore nuk kishte mbërritur në punë. Ai madje ka njoftuar te Drejtoria Arsimore se nuk do të paraqitej në punë atë ditë, sepse nuk ndihej mirë. Pikërisht, në këtë kohë fillon misteri i ngjarjes. I zhdukuri ka folur në telefon me të shoqen të hënën në orën 14:30 dhe më pas ka humbur çdo kontakt. Telefonat e tij, që dilnin të ndezur deri në këtë kohë, janë fikur dhe nga Arjan Kerçiku nuk është gjetur më asnjë gjurmë. Të afërmit kanë pritur kthimin në shtëpi dhe pasi kanë pasur dyshime se diçka kishte ndodhur, kanë nisur kërkimin duke kontrolluar fillimisht në spitale. “Menduam mos ishte sëmurë dhe kishte kërkuar ndihmë në spitale. Mami kontrolloi në çdo spital, te ‘Nënë Tereza’, te Spitali Ushtarak, por nuk e gjetëm”, thotë vajza e Arjan Kerçikut. Ajo shpjegon se ngjarja është denoncuar te Komisariati Nr.1, në kryeqytet. Policia mësohet se ka nisur hetimet për ngjarjen, ndonëse ende nuk ka asnjë gjurmë të punonjësit të Drejtorisë Arsimore. Familjarët dhe të afërmit mohojnë që ai të ketë pasur probleme shëndetësore apo ndonjë konflikt në shtëpi, ndërsa nuk dinë të gjejnë një shkak për ngjarjen. “E vetmja gjë që i ka ndodhur kohët e fundit është se, për shkak të radhëve të gjata, javën e fundit te Drejtoria Arsimore ka pasur lodhje, sepse i është dashur të presë mbi 300 persona në ditë”, shprehet vajza e të zhdukurit.

© Panorama.al

Te lidhura