
Prokuroria e Tiranës kërkon në gjykatë pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë Bashkiake të kryeqytetit, Florenc Hoxha.Sipas një kërkese të drejtuar dy ditë më parë Gjykatës së Tiranës, kreu i Policisë Bashkiake është duke u hetuar për akuzat goditje dhe fyerje për shkak të detyrës dhe kanosje për shkak të detyrës, shtrëngim për moskallëzim krimi, në dëm të dy ish-inspektoreve të sektorit të tatimeve në Bashki. Hetimi i referohet ngjarjes së ndodhur në zyrat e Bashkisë së Tiranës pak kohë pas vendimit për largimin nga puna të më shumë se 50 inspektorëve. Në përpjekje për t’i përzënë nga zyrat e tyre, drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, u përfshi në një debat me dy prej inspektoreve, që kundërshtuan hapur largimin nga puna dhe nga zyra. Mbi 20 këshilltarë të Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës u ankuan në Prokurori, ndërsa denoncimi është firmosur nga dy ish-inspektoret e tatimeve, shtetaset Anila Çobani dhe Etleva Duro. Ato e akuzuan kreun e Policisë bashkiake për dhunë dhe kërcënim, ndërsa pohuan se ishin kanosur se, nëse denonconin ngjarjen në Prokurori, do të përballeshin me pasoja të rënda. Prokuroria e Tiranës tri ditë pas marrjes së denoncimit vendosi nisjen e procedimit penal për kreun e Policisë Bashkiake. Ai është ende person në hetim, pasi nuk është thirrur në Prokurori dhe akuzat nuk i janë komunikuar. Megjithatë, organi i akuzës e ka parë të arsyeshme të kërkojë që Florenc Hoxha të pezullohet nga detyra deri në përfundim të hetimeve.
Pezullimi nga detyra
Pezullimi nga detyra, private apo shtetërore, konsiderohet si një masë sigurimi që Prokuroria shqiptare e ka zbatuar vitet e fundit në disa raste. Logjika e kërkimit në gjykatë të kësaj mase është që nëpunësi i akuzuar të mos vazhdojë kryerjen më tej të veprës penale dhe po ashtu, të mos rrezikojë zhdukjen e provave. Ndërkohë që kërkesa e Prokurorisë së Tiranës është hedhur në short në gjykatë dhe ende nuk është marrë vesh cili do të jetë gjyqtari që do ta shqyrtojë. Prokuroria e Tiranës ka vepruar në të njëjtën mënyrë edhe pak vjet më parë me pezullimin nga detyra të një zyrtari të policisë rrugore, i cili u akuzua për dhunë gjatë një kontrolli në një makinë në bulevardin kryesor të Tiranës.
Incidenti në Bashki
Përplasja e kreut të Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, me inspektorët tatimorë të shkarkuar nga detyra ndodhi më 6 shtator. Dy inspektore të Bashkisë së Tiranës kanë reaguar ndaj vendimit për largimin nga puna, duke u përfshirë në incidentin e ndodhur në Bashki me forcat e policisë së kësaj të fundit. Pas incidentit të ndodhur në zyrat e sektorit të tatimeve në Bashki, dy palët akuzuan njëra-tjetrën. “Ndihem e terrorizuar nga kjo maskaradë që kam parë me sytë e mi. Më duket absurditeti më i madh që të nxirret me dhunë një punonjës, kur ende është në detyrë, pa marrë vendimin e largimit nga detyra”, tha Miranda Porja, punonjëse e Bashkisë. Nga ana tjetër, Policia Bashkiake deklaroi se kishte për detyrë ruajtjen e rendit dhe qetësisë e zbatimin e ligjit në Bashki, duke shpjeguar se ndërhyrja ishte bërë pikërisht në zbatim të këtyre detyrave e kompetencave të dhëna nga ligji.
Gjykata: Sot shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë
TIRANE – Kërkesa e Prokurorisë së Tiranës në Gjykatë për pezullimin nga detyra të shefit të Policisë Bashkiake do të shqyrtohet sot në Gjykatë. Pas mbërritjes në Gjykatën e Tiranës të kërkesës, ajo i është nënshtruar shortit për përcaktimin e gjyqtarit. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se shorti ka përzgjedhur Rezarta Vigani Balliun, si gjyqtaren që do ta shqyrtojë atë. Po sipas burimeve, seanca e parë e kësaj dosjeje do të zhvillohet sot në orën 10:00. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Florenc Hoxha, shefi i Policisë Bashkiake “kanosje për shkak detyre”, “shtrëngim për moskallëzim” dhe “fyerje për shkak të detyrës”. Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, pritet që në seancën e sotme gjykata të dëgjojë edhe përfaqësuesin e kryepolicit bashkiak ose atë vetë për argumentet në lidhje me akuzat.
Procedura
Pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në lidhje me kërkesën e prokurorisë për pezullimin e kreut të Policisë Bashkiake, pala e prekur nga vendimi sipas ligjit mund të bëjë apelimin në Shkallën e Dytë. Vetëm nëse Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, ai merr formë të prerë. Vetëm pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë, ai është i detyrueshëm për zbatim nga institucioni të cilit i drejtohet
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











