Një shtetas kosovar që zotëronte pasaportë biometrike shqiptare të paligjshme u arrestua dje nga Policia e Tiranës.Elbasan Sejdiu, 24 vjeç, nga Prishtina, u arrestua në një hotel në Rrugën e Durrësit, ku po qëndronte bashkë me hallën e tij. Edhe pse me origjinë nga Kosova, i lindur dhe i rritur atje, 24-vjeçari kishte marrë pasaportë biometrike sikur të ishte banor i rregullt i Laprakës. Me pasaportën në fjalë mësohet se shqiptari nga Kosova do të udhëtonte nga Rinasi drejt Zvicrës duke përfituar nga regjimi pa viza. Nga verifikimet që janë kryer nga oficerët e Antikrimit Ekonomik të Policisë së Tiranës rezulton që për pasaportën biometrike me identitet të vjedhur, është aplikuar në Njësinë Bashkiake Nr. 11 në Laprakë. Në këtë minibashki, shtetasi kosovar është pajisur fillimisht me certifikatë, me identitetin e një shtetasi shqiptar që nuk kishte aplikuar për pasaportë dhe më pas ka aplikuar njëkohësisht për kartë identiteti dhe pasaportë biometrike, duke u pajisur me këto dokumente në mënyrë të përshpejtuar. Për këtë arsye, duke mos pasur emra konkretë të punonjësve të gjendjes civile që mund të kenë kryer shkeljen, Policia tha se ka nisur procedim penal për punonjësit e Njësisë Bashkiake Nr. 11 me akuzën “shpërdorim detyre”. Ndërsa vetë i arrestuari, Elbasan Sejdiu, nga Prishtina dhe banues në Ferizaj të Kosovës, ka hedhur poshtë akuzat gjatë marrjes në pyetje. Ai ka deklaruar në polici se pasaporta që i është sekuestruar nuk është e tij, pasi ajo nuk ka as foton dhe as gjeneralitetet e tij. Madje ai është shfajësuar duke thënë se pasaportën e ka gjetur rastësisht dhe ishte nisur drejt Tiranës me qëllim që ta dorëzonte në polici. Nga ana tjetër, policia ka dërguar materialet në prokurori në ngarkim të tij me akuzën e “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”. Sipas burimeve nga Policia mësohet se skema e pajisjes me pasaporta biometrike me identitet të rremë është e njëjtë me atë që kanë përdorur dy shtetas të tjerë nga Kosova, të cilët u arrestuan më 22 korrik të këtij viti. Sipas të dhënave hetimore rezulton që falsifikimi nis me certifikatën që lëshohet nga njësia bashkiake dhe dyshohet se për këtë u vijnë në ndihmë edhe vetë punonjësit e kompanisë “ALEAT”. “Ndërmjetësit” informohen për identitetin e shtetasve shqiptarë, të cilët kryesisht janë emigrantë që nuk kanë aplikuar për pasaportë. Pasi përzgjidhet lista me emrat e shqiptarëve që nuk kanë aplikuar, përshtatet edhe ditëlindja, në mënyrë që personi të cilit i vidhej identiteti të kishte moshë të njëjtë me personin që do të pajisej me pasaportë biometrike.
ETLEVA DELIA











