Tiranë, arrestohen dy hajdutët që vodhën 18 automjete

Jan 9, 2012 | 11:35

TIRANE – Hajdutët e dyshuar të 18 automjeteve u arrestuan dje nga Policia gjatë operacionit të koduar me emrin “Parku”. Policia e Tiranës ka vënë në pranga në flagrancë dy persona, të cilët dyshohet të kenë vjedhur të paktën 18 makina në zona të ndryshme të kryeqytetit. Ndërsa mbrëmjen e së shtunës, ata u arrestuan në flagrancë nga Policia, teksa ishin futur brenda një makine tip “Golf-2”, me targë TR 2659 D, në rrugën “Babë Rexha”, në tentativë për ta vjedhur. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë dje se janë arrestuar 35-vjeçari Zejnel Meçe, banues në Kukës, i dënuar më parë për vjedhje automjetesh dhe shtetasi kosovar nga Suhareka, 19-vjeçari Gëzim Buqa. Pas arrestimit të tyre, Policia ka arritur të dokumentojë edhe disa raste të tjera vjedhjesh automjetesh, kryesisht në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, ku ata u kapën në flagrancë, por edhe në zona të tjera të kryeqytetit. Nëpërmjet gjurmëve të gishtave dhe mekanizmit se si janë kryer vjedhjet e automjeteve, kryesisht “Golf”, Policia ka provuar autorësinë e tyre në të paktën 18 ngjarje.
Burime nga Policia thanë se kishin nisur një hetim për vjedhjen e makinave për rreth 3 muaj, duke përdorur metodat speciale të hetimit, derisa u arrit arrestimi në flagrancë i autorëve. Nga hetimet rezultoi se Zejnel Meçe dhe Gëzim Buqa kanë kryer rreth 18 vjedhje përgjatë vitit 2011 deri në janar të vitit 2012. Sipas burimeve, pasi vidhnin makinat, i transportonin drejt Kukësit e më pas në Kosovë, ku i shisnin si pjesë këmbimi.

© Panorama.al

Te lidhura