Tiranë amatore, eliminohet nga “të panjohurit”

Jul 22, 2011 | 12:13
Thun-Vllaznia 2-1

Tirana nuk ia del në Ligën e Europës, ndonëse ishte vetëm 24 minuta larg ëndrrës. Bardheblutë humbasin me shifrat e pastra, 3-1 (0-0), në Trnavë, kundër vendasve të Spartakut.Djemtë e Rubios kaluan të parët në avantazh në të 22-tën, falë një goli të Gilman Likës. Pas atij momenti kryeqytetasit morën “frenat” e lojës në dorë, teksa për disa minuta kontrolluan ndeshjen. Mirëpo, duket se ende nuk është thyer miti i transfertave nga skuadra shqiptare dhe padyshim Tirana nuk mund të bëj përjashtim. Sllovakët barazojnë, por bardheblutë prapë nuk dorëzohen, mirëpo nuk e kanë forcën për të ruajtur shifrat, teksa 24 minuta nga përfundimi i ndeshjes, Trnava ndëshkon. Golat e Tomaçek dhe Proshaskës i japin goditjen e “nock out”-it bardhebluve të drejtuar nga Hulian Rubio. Tirana u nis drejt Trnavës me shpresën e një kualifikimi, kjo e mbështetur te barazimi i “Qemal Stafës” më 14 korrik. Nuk pritej që të kishte surpriza në këtë ndeshje kthimi dhe një gjë të tillë e pati deklaruar vetë trajneri. Ky i fundit, ndër të tjera, theksoi se bardheblutë nuk duhet të presin mrekullitë prej tij, por nga vetë lojtarët, pasi ata e kanë forcën goditëse. Deri në minutën e 66-të të gjithë besuan dhe kjo me të drejtë. Rubio hodhi nga minuta e parë këtë formacion; Lika, Taku, Pashaj, Pisha, Kalari, Dushku, Al Ajmi Karabeci, G.Lika, Kerçiku, Bala. Edhe këtë herë mungonte forca goditëse, gjë që mundohej ta bënte mesfusha, por edhe ky repart më shumë se kaq nuk kishte ç’të bënte. Takimi nisi vrullshëm nga të dyja skuadrat, por rastin e parë e kanë miqtë, të cilët mund të kishin shënuar që në minutën e 7-të me anë të Tomaçek, që godet fortë, por nuk gjen dot portën. Për minuta me radhë lojën e kontrollojë vendësit. Atëherë kur nuk pritej, shënon Tirana. Është Gilman Lika që çon në dëlirë qindra tifozë bardheblu dhe sigurisht pankinën. Goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton mesfushori shkodran dhe nuk gabon, 0-1. Djemtë e Rubios ruajnë rezultatin për 19-të minuta, teksa në të 41-tën është i rrezikshmi Tomaçek që barazon shifrat, pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar mjeshtërisht dhe 1-1. Gjithsesi, pjesa e parë ishte e ekuilibruar, ndaj miqtë mund të kishin ruajtur shifrat. Në fraksionin e dytë të lojës, sllovakët e nisin në sulm. Bardhblutë bëjnë rezistencë të vazhdueshme, kjo fal edhe gabimeve të vendasve. Mirëpo, në të 66-tën, Sprataku nuk fal. Proshaska shfrytëzon më së miri një top të ardhur nga mesfusha dhe nuk heziton që ta dërgoj topin në rrjetë, 2-1. Minutat vazhdojnë dhe shpresat e bardhebluve sa vijnë dhe shuhen. Mirëpo, duket se vendasve u vjen oreksi, ëndja spostohet në sulm. Goli i tretë dhe i fundit vjen pesë minuta para përfundimit të kësaj përballjeje të dytë, të raundit të dytë. Sllovakët fitojnë të drejtën e një penalltie, pas një ndërhyrje të gabuar në zonë. Është Tomaçek që ekzekuton nga pika e bardhë dhe 3-1. Pas këtij momenti, gjithçka konsiderohet e mbyllur për kryeqytetasit, ndonëse minutat vazhdonin. Kur nuk kishte se si të shkonte më keq, Tirana mbetet me 10 lojtarë, pasi Karabeci ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë.

Spartak Trnava-Tirana 3-1

Shënues: Tomaçek 41′, 85′ (p), Proshazka 66’/ G.Lika 22′
Kartonë të verdhë: Tomaçek, Viskocil, Petras/ Karabeci (2), Kalari, Pashaj
Karton i kuq: Karabeci 90+2′
Gjyqtarë: David Piasecki/ M.Vierzbovski dhe P.Sadczuk (POL)

Spartak Trnava: Raska, Koubski, Djalo, Malçarek, Hanzel, Proshazka, Viskocil (Petras 68′), Kahran, Kashçak, Tomaçek (Siprus 89′), Bernath (Gogolak 65′). Trajner: Pavel Hoftish
Tirana: I.Lika, Taku, Pisha, Dushku, Kalari, Pashaj, Kërçiku, G.Lika, Karabeci, Al Ajmi (Etogo 54′), Bala. Trajner: Hulian Rubio

Hoftish: Pas golit mendova se u eliminuam

Trajneri i Spartakut është shprehur i gëzuar nga kualifikimi, edhe pse në momentet kur skuadra e tij shkoi në disavantazh pohoi se kishte pasur shumë frikë. “Unë jam i kënaqur për fitoren e skuadrës sime. Faleminderit shikuesit për sfondin i përkryer edhe nën këtë mot të keq dhe për përkrahjen e madhe që na dhanë. Duhej të kishim zgjidhur më shpejt këtë ndeshje dhe të mos vuanin aq shumë sa realisht në vuri në vështirësi skuadra shqiptare, por gabuam shumë para portës së tyre. Pas golit të pësuar, pata frikë se skuadra nuk do të reagonte si duhet, por jam i kënaqur që djemtë ditën që të hidhnin prapa krahëve atë gabim dhe të mendonin që të shënonin dhe fitonin. Rezultati 3-1 ishte më minimali për ne, pasi duhej të kishim shënuar edhe më shumë”, ka pohuar në konferencën për shtyp trajneri i Spartak Trnavës, Pavel Hotfish.

Rubio: Humbëm se nuk kishim përgatitje

Trajneri i Tiranës, Hulian Rubio Sançez, është ndjerë shumë i zhgënjyer pas eliminimit duke u shfajësuar me faktin se skuadra e tij ka më pak përgatitje fizike. “Shënuam të parët dhe kishim edhe raste të tjera. Duke iu referuar ndeshjes së parë në Tiranë, gjykova se ishte e udhës që skuadra të sulmonte më shumë për të shënuar, por nganjëherë kur shikon të shënosh, harron të mbrohesh dhe pëson, sikundër na ndodhi. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se Spartaku ka më shumë se 1 mijë e gjysmë që stërvitet dhe është në aktivitet, ndërsa unë kam vetëm 20 ditë që merrem me skuadrën dhe disa lojtarë nuk janë ende në gjendje optimale për të luajtur një ndeshje të tillë. Sinqerisht erdha në Tërnavë me mendimin se do të luaja me Levski Sofia, por nuk ia arrita dot”, ka pohuar Sançez.

Shpërblimi,  lojtarëve u ikin 60 mijë $

Tirana kishte më shumë se një arsye për të kaluar me sukses turin e dytë në Ligën europiane, kjo për prestigj, por edhe prej një shpërblimi të majmë që kishte vendosur presidenti Refik Halili. Nuk ishin pak, por plot 60 mijë dollarë që do të merrnin bardheblutë në rast kualifikimi. Parà që kryeqytetasit nuk do t’i prekin kurrë me dorë, kjo për një arsye të qartë, nuk u realizua objektivi. Kreu i klubit e ndërtoi këtë skuadër me një motiv të qartë; që të kalonte minimalisht një turn në Europë dhe të jetë fituese e kampionatit shqiptar. Synimi i parë nuk është më i vlefshëm, pasi skuadra u mposht nga sllovakët e Spartak Trnavës. Tashmë djemve të drejtuar nga trajneri spanjoll u ka mbetur edhe një shans, jo vetëm për të bërë paraqitje dinjitoze në Superiore, por edhe të renditen në vendin e parë.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura