TIRANE – Nga dita e djeshme, forcat e Policisë së Tiranës kanë kaluar në gjendje gatishmërie, për shkak të planit të masave për zgjedhjet lokale. Kjo situatë do të thotë punë me tri turne për efektivat e policisë deri në përfundim të zgjedhjeve lokale. Drejtori i Policisë së Tiranës, Saimir Muçaj, tregoi dje me hollësi planin e detajuar të masave, duke deklaruar se për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në kryeqytet janë angazhuar 1069 punonjës policie. Gjithashtu, në ndihmë të Policisë së Elbasanit, Beratit dhe Fierit, janë nisur dje 497 punonjës policie dhe 10 drejtues. Sot në mëngjes shefat e komisariateve do u komunikojnë detyrat zgjedhore vartësve të tyre, të cilët duhet të kenë detyrimisht me vete 8 dokumente të nevojshme. Punonjësit e policisë me uniformë, janë ata që do të marrin në ruajtje qendrat e votimit nga momenti i mbërritjes së materialeve zgjedhore në Komisionin e Qendrës së Votimit. Ata do të largohen nga këto objekte ditën e votimit më 8 maj, kur Komisioni i Qendrës së Votimit fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit. Në këtë moment, të gjithë punonjësit e policisë duhet të kthehen në komisariate apo vende të tjera të planifikuara nga shefat përkatës. Nga ora 20:00 në mbrëmje e deri në orën 08:00, mëngjesin e së dielës, gjatë kohës kur KZAZ-të nuk
janë në punë, do të merren në ruajtje nga forcat e policisë 16 KZAZ. Ndërsa më 8 maj, në orën 18:00 do të merren në ruajtje 16 Vende të Numërimit të Votave. Ndërsa pjesa tjetër e punonjësve të policisë, të përcaktuar sipas planit, në orën 19:00 të datës 8 maj do të jenë pranë QV-ve, në pritje për shoqërimin e Komisionit dhe materialeve zgjedhore nga
KQV, për në vendet e numërimit të votave. Policia Kriminale, punonjësit civilë, nesër dhe ditën e votimeve do të qëndrojnë brenda institucioneve të policisë, ndërkohë që do të kryejnë edhe shërbimet e brendshme dhe sigurimin e objekteve.











