Rama: Vota bëri realitet Tiranën europiane

May 3, 2011 | 17:31

UPDATE- “Pakti qytetar” është aktiviteti i rradhës i Partisë Socialiste, në kuadër të zgjedhjeve të 8 majit ku në pallatin e Kongreseve në Tiranë janë mbledhur të gjithë kandidatët e “Aleancës për të ardhmen”

Në fjalën e tij kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njeheresh kandidat per nje mandat te katert u ndal në atë që ai e quajti themeli  i suksesit të realizimit të ëndrrës për një Tiranë europiane,  puna dhe kontributi i të gjithë qytetarëve.

“Qytetarët u bënë gjithnjë e më të shumtë, duke shtuar investimin e tyre për Tiranën përmes taksave. Por sot kur kaq shumë është folur për zhvillimin, por po kaq shumë është folur për mënyrën se si është realizuar ky zhvillim, vlen të theksojmë se çfarë kanë kontribuar familjet e zakonshme të Tiranës. E vërteta e thjeshte e kontributit të tyre, eshtë 3 taksa, e ndërtesës, e pastrimit e gjelbërt, e përkohshme e cila ka pushuar së qeni, por falë saj kemi 55 mijë pemë më shumë”- tha Rama.

Sipas Ramës, në krahasim me bashkinë, qytetarët i paguajnë qeverisë 7 taksa dhe detyrime, dhe në këmbim marrin varfëri, papunësi dhe pasiguri.

Kryebashkiaku, theksoi se 10 vjet më parë Tirana ishte një ëndërr e pamundur, një ëndërr që filloi me një votë, vota që e ndryshoi përgjithmonë rrugën e këtij qyteti.

“Do të kemi 13 linja transporti, korsi të veçantë për autobuzët, 54 km korsi e dedikuar për biçikleta, linjat e Tram Tiranës, 8 parkime nëntokësore, 30 parkime të përkohshme në blloqet e banimit. Në këtë fushë plani ynë është i detajuar. Sa i takon sistemit të transporti, automjetet do të lëvizin në një sistem unazash. Do të largojë shumicën e makinave nga qendra.”- shpjegoi Rama.

Nderkaq, kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika tha se e kemi bërë Vlorën qytetin elitar të turizmit. Sipas Gjikës, qytetet e manaxhuara nga PS-së, janë modele të qeverisjes vendore. Ai tha se nga Vlora më 8 maj do të sjellë lajmin e fitores së madhe.

Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako theksoi se modeli, vizioni dhe frymëzimi ynë ishte rruga e nisur nga Edi Rama në Tiranë, që e transformoi kryeqytetin në një qytet europian.

Dako tha se në 8 maj, fitorja nuk do të jetë vetëm e jona por e të gjithëve.

© Panorama.al

Te lidhura