Tirana, rehabilitim, apo plan urban

Sep 20, 2011 | 10:48

SAZAN GURI

Po vjen dita që qytetarët e Tiranës të kenë së shpejti një plan të përgjithshëm urban, ku secili do të gjejë mundësinë e vet për ndërtim, jo më kuturu, por tashmë sipas një parashikimi. Bukuri. Më mirë nuk ka. Vonë, madje shumë vonë, megjithëse ca kënaqen që më mirë nga hiçi, edhe vona bën punë. Por ja që ndodh që edhe e vona, më mirë nga hiçi, ndonjëherë nuk të bëka punë, sepse kur gota mbushet, edhe një pikë ujë është e tepërt. Kësisoj, është edhe Tirana sot, ku më parë se të planifikosh se si të ndërtosh, duhet të mendosh se si do të korrigjosh gabimet e bëra deri më sot, pra se si duhet të rehabilitosh. Për ata syresh që militantizmi u ka zënë sytë, edhe për ata që kanë zbritur duke djegur etapat e civilizimit, sigurisht, Tirana është qytet, madje i shkëlqyer dhe pa gabime urbane. Por, në syrin e një eksperti që e do Tiranën qytet të qëndrueshëm, për sot e për mot, Tirana i ngjet një fshati të madh urban, një çorganizimi perfekt të organizuar, më saktë akoma, një çurbanizimi të urbanizuar. Sepse deri më sot kemi një Tiranë ku është ndërtuar mbi 6m2/1m2, që sipas ligjit, duhet të ishte 1,8m2/m2, që thjesht kuptohet se një sipërfaqe prej 1000m2 duhej të zihej nga një pallat katërkatësh në më pak se 500m2 dhe pjesa tjetër duhet të ishte hapësirë publike, zonë e gjelbër, trotuar, shesh çlodhjeje, kënd lojërash. Sepse deri më sot kemi një Tiranë ku është ndërtuar jo vetëm me 90% të territorit në plan, por edhe tri herë më tepër në tebdil hava, pra 270%, duke na rritur dendësinë nga 200-300 në 1600 banorë/ha, ku edhe Down Town-et metropolitane e kanë jo më tepër se 900 banorë/ha. Sepse deri më sot kemi një Tiranë ku çdonjëri nga ne mund t’i mbyllë me telekomandë televizorin komshiut për shkak të afërsisë apo mosrespektimit të distancave. Sepse deri më sot kemi një Tiranë ku çdonjëri nga ne mund të ofrojë spektakël falas nëse pa dashje harron dritaren hapur, ngaqë 12-katëshet rrinë përkundruall në më pak se 4 metra njëri-tjetrit nga minimum 28 metra, sipas ligjit. Sepse deri më sot kemi një Tiranë ku xhenazet dalin brinjas, ku rrugët e biçikletës vizatohen si piktura për fëmijë, ku lumenj si Lana, Tirana, Erzeni, mbajnë në kurriz plehra dhe në bark ujëra të zeza, ku kurora e gjelbër përqark (Fark, Dajt, Paskuqan e Kashar) u gdhi në brezare betoni, ku vend-hedhja e mbetjeve (Sharra) dikur jashtë qytetit, sot ndodhet brenda jetës urbane si askund tjetër në botë, ku kopshti zoo u tret si kokoshi një thelë, ku oxhaqet e bitumit krekosen para shtëpizave të banorëve, ku një kompleksi turistik apo një restoranti, i rri keqas e pranë një gurore apo fabrikë inerti, ngaqë Tirana, si gjithë Shqipëria, nuk ka një zonë industriale që t’i mblidhen këto në një të vetme etj., etj. I theksuam këto përsiatje për t’i treguar militantit që me këto fakte mbase mbush, për t’u thënë atyre që kanë kapërcyer pesë shkallë civilizimi, mos u kënaq me statusin e sorrës, por, mbi të gjitha, për t’i thënë kryebashkiakut të sotëm se Tiranën, kurrsesi s’e pret më ndërtime, veçse rehabilitime. Keq më vjen për ju, o kryetar i ri, që të bie barra të rregullosh dhe jo të ndërtosh. Çfarë? Sesi të na rregullosh raportin e përçudnuar hapësirë ndërtimi në kurriz të asaj publike, ku janë ende me qindra sheshe ish-uzinash, e fabrikash, e kombinatesh që presin të bëhen zona me pyll, aq sa pemët t’u afrohen 12-katësheve. Sesi të na heqësh zhurmat e burive të ditës dhe të çjerrat e muzikave të natës. Sesi të na kthesh trotuaret e zëna keqas me tavolina plot me djem, që dembeltazi zhgërryhen me kafe e pije, duke mos lënë vajza pa parë në ije. Sesi të na i bësh hyrjet e pallateve me pesë kazanë, që edhe ne, si gjithë bota, plehrën ta ndajmë. Sesi ujërat e zeza në Lanë të mos shkojnë, që fëmijët në hartime me gisht të mos e tregojnë. Sesi të përcaktosh zonat e zhvillimit për banesa brenda dhe jashtë qytetit, sesi do të mbrohen zonat e ruajtura (qendër qyteti, lagjet tipike tiranase, Liqeni, kurora e gjelbër). Sesi do të menaxhohen lagjet me vlera arkitekturore e historike. Ku do të jetë zona industriale e qytetit që kompleksi çlodhës – bar, restorant, pishinë – të mos bashkërrojë me fabrikën e bitumit, qytetari me oxhakun e bukës, banori me zhurmën e diskos, pacienti me aromën e djegies së mbetjeve spitalore etj. Cilat do të jenë zonat ku fëmijët të luajnë kut e cingla, me ngriva-shkriva, me voza apo me jathash, që të mos kemi në dhjetë fëmijë, tetë bola, një qullac dhe i fundit që është normal s‘ka shokë të luaj. Kur do të vijë dita që ushqimet të mos shiten si njëqind vjet më parë apo si në kohën e Etem Bej Vlorës, në m’b’udhë, ku at’herë s’kishte as makina, as pluhur, as kaq kamkum milet dhe as këtë ushqim me marifet. A do të ketë ky qytet, parqe të vogla brenda pallateve, po sheshe-qendër brenda një lagjeje me 10-12 mijë banorë, po zona pyjesh të gjelbra midis minibashkive me 30-50 mijë banorë, po brez të gjelbër ndarës të qytetit me zonat suburbane (Fark, Dajt, Paskuqan e Kashar), po qytete-kopsht si Bërzhita, Baldushku, Peza, Ndroqi, Vora, Fushë-Kruja, Brari? A do të na inkurajosh ecjen më këmbë në trotuaret plot dritë dhe jo me tavolina nëpër këmbë? Po nxitjen e lëvizjeve me biçikleta në rrugën plot siguri, po korsinë tipike për transport publik, që unë qytetari të lëviz me shpejtësi 40-50 km/orë dhe jo 7 km/orë, sepse dinamika dhe pastërtia e qyteteve maten nga shpejtësia e trafikut urban dhe sasia e përdorimit të dyrrotakëve, ndërkohë që dinamika e një kombi matet nga shpejtësia e lëvizjes së motorakëve? Kur do të vijë dita që bulevardet kryesore të shërbejnë vetëm për lëvizje automjetesh, dhe jo një emigrant me banim në Angli parkon makinën me muaj të tërë, duke bllokuar një korsi ose unë e barre të kenë parkim me minutazh, që sa më brenda Unazës, aq më shtrenjtë dhe aq më pak minuta. Kur do të vijë dita që të na shqitet aroma e pusetave ngaqë pa sifone janë? Do të kemi fatin që me gjalljen tonë, aroma e plehrave të kazanëve metalikë, pa këmbë e pa kapak, si hije pas të mos na ndjekë? Pyetje e thjeshtë? Kur do të hiqet linja 220 kilovolt nga rruga “Zogu i Parë”? Ja pse plani, z. kryetar, por më shumë ju që ndihni kryetarit, na qenkësh rehabilitues dhe jo ndërtues. Keq më vjen edhe për ju, o biznesmenë ndërtimi, që tash e tutje nuk mund të ndërtoni më brenda Unazës, por do të mendoni se si do të ndërtoni një Tiranë të re, sikundër është ndërtuar Vjena tej Danubit, Beogradi i ri, Praga e re, Budapest i ri etj. Sepse e mori ferra uratën. Ç’u ndërtua, u ndërtua. “Ma keq, s’bahet”, thotë elbasanasi. Po, ndërtim është edhe ngritja e një landfilli, dhe ngritja e një impianti të ujërave të zeza, dhe e një kompleksi turistik në mal, dhe e një porti jahtesh në det etj., etj. Së fundi, keq më vjen edhe për ty qytetar, që banesa me çardak tiranase të ngeli pa u shndërruar në shumëkatësh, që shtëpia, dikur e ëmbël shtëpi, sot të duket e vogël, rrugët dikur plot dritë, sot i ke si tunele, por mos u mërzit, se dita do të vijë kur 12-katëshet do të kërkojnë sheshe për fëmijët e tyre rakitikë.

© Panorama.al

Te lidhura