
Gilman Lika mund të jetë largimi i radhës nga Tirana. Mesfushori shkodran ka pasur një ofertë nga Ukraina dhe pritet që brenda javës të zyrtarizohet ose jo ky transferim. Për një nga lojtarët më të mirë dhe më të paguar që ekziston te bardheblutë, ka shfaqur interesim serioz klubi i FC Tavrija. Sigurisht që ky është një element që i shërben skuadrës kryeqytetase, fakt që e ka dëshmuar në sezonet e fundit. Vetë lojtari në deklaratat që ka dhënë kohë më parë, e ka thënë hapur se Tiranën do e ndërronte vetëm për një eksperiencë të huaj. E ja ku erdhi kjo ofertë e, në të tilla kushte, jo vetëm shkodrani do të realizonte ëndrrën, por edhe klubi do të mbushte “arkën”. Lika është nën kontratë me Tiranën deri në janar të 2013-s, për rrjedhojë deri në atë afat kartoni i takon klubit kryeqytetas. Mirëpo ka të ngjarë që klubi të mos e pengojë këtë transferim, gjithnjë nëse edhe homologët ukrainas këmbëngulin për të marrë shkodranin. Por vlen të përmendet që edhe bardheblutë do të përfitojnë nga ky transferim i mundshëm. Se sa, kjo sigurisht që nuk dihet, pasi fillimisht pritet që bisedimet mes palëve të avancojnë.











