Tirana, barazim me fat, fiton Vllaznia

Jan 30, 2012 | 12:18

Kupa/ Shënojnë Smajli e Gjini, kuqeblutë e Rudi Vatës nisin mbarë 2012-ën

Bylisi shpërdoron, bardheblutë marrin pikë në Ballsh

Tirana nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen e parë të Kupës në Ballsh përballë Bylisit, ndërsa Vllaznia nuk ka falur kurbinasit, teksa ka dalë duarplot nga “Loro Boriçi”. Bardheblutë e drejtuar nga spanjolli Rubio e nisën pak a shumë aty ku e lanë vitin e shkuar, kjo edhe për shkak të merkatos tejet të vakët që klubi bëri gjatë këtij muaji (munguan paratë, munguan edhe afrimet). Ndaj në Ballsh u panë të njëjtat gabime, sidomos në lojën sulmuese. Bala pati disa raste të pastra për shënim, por sulmuesi shkodran shpërdoroi marrëzisht, ndërsa vendësit, ndonëse më të racionalizuar, rrezikuan më shumë portën e mbrojtur nga Lika. Ky i fundit, si gjithnjë në formë të mirë dhe me një katërshe mbrojtësish, absolutisht më të mirët e Superiores, arriti që të mbante të paprekur portën e tij. Barazimi i bardhë ka mbetur i pandryshuar deri në fund të lojës, duke ndarë nga një pikë për të dyja skuadrat në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Për pasojë, të katër skuadrat e grupit A- Tirana, Kastrioti, Bylisi dhe Kamza, kanë ecur me të njëjtin hap në këtë tur, duke mos shënuar dhe pësuar asnjë gol, çka i mban ato në kuotën e barabartë, të vetëm një pike. Ndërsa në derbin e veriut, Vllaznia ka arritur të triumfojë, falë golit të mbrojtësit lezhjan, Dritan Smalji dhe sulmuesit shkodran, Jurgen Gjini. Të besuarit e trajnerit Rudi Vata, duke qenë se luanin në fushën e tyre, kanë qenë më kërkues e dominues në këtë përballje, pavarësisht se kanë vuajtur shumë në repartin ofensiv. Laçi është mbrojtur mirë, me forca të shumta në prapavijë, duke ia vështirësuar shumë punën Vllaznisë. Po kështu, bardhezinjtë janë munduar të aplikojnë kundërsulmin, falë të cilit kanë krijuar rastet e veta, por pa i shndërruar në gol ato. Në një dialog të tillë, më shumë sulm për Vllazninë dhe më tepër vëmendje për mbrojtjen te Laçi, është mbyllur pjesa e parë e lojës. Fraksioni i dytë do sillte edhe shënjestrat e kuqebluve, fillimisht falë një rrëmuje në zonë ku përfitoi Smajli dhe më pas, falë një goditjeje këndi e cila u shfrytëzua më së miri nga Gjini. Minutat e mëpasshme ishin pa shumë efikasitet, sidomos për Laçin, i cili duhej të tentonte reagimin, por të besuarit e trajnerit Përparim Daiu nuk ishin në lartësinë e kësaj detyre.

Dimo nënshkruan për Skënderbeun
Amarildo Dimo është zyrtarisht lojtar i Skënderbeut. Klubi korçar ka arritur akord me Bylisin, duke i paguar presidentit të kësaj skuadre edhe shifrën e 15 mijë eurove për kartonin e lojtarit. Lajmi është konfirmuar për mediat si nga ana e presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj, ashtu edhe nga ai i Skënderbeut, Agim, Zeqo. Një lëvizje e tillë ka surprizuar mjaft ambientin sportiv, kjo edhe për faktin se Dimo ishte shumë pranë arritjes së akordit me Vllazninë. Madje, lojtari pëlqehej nga trajneri Vata dhe kishte rënë dakord me të, por drejtuesit shkodranë nuk pranuan t’u paguajnë shifrën e mësipërme ballshiotëve.

Tirana, vetëm Halili e ndjek
Në tribunën qendrore të stadiumit “Adush Muça” ishin disa figura, qoftë të politikës, qoftë të sportit në vendin tonë. Binte në sy mungesa e drejtuesve të Tiranës, përveç drejtorit teknik Alban Tafaj. Por në radhët e mbështetësve të bardhebluve ishte Refik Halili, ndërsa Enkelejd Alibeaj dhe Besnik Kapllanaj për Bylisin. Madje ish-donatori në përfundim të takimit i ka shtruar drekë ekipit në një nga restorantet e Ballshit, në shenjë dashamirësie.

Kupa e Shqipërisë/ Grupi A
Kastrioti-Kamza            0-0
Bylisi-Tirana            0-0

Renditja
Ekipi        ND        P
Bylisi        1        1
Kamza         1        1
Kastrioti        1        1
Tirana        1        1

Kupa e Shqipërisë/ Grupi B
Vllaznia-Laçi            2-0
Shënues: Smajli 53?, Gjini 75?
Të martën
Skënderbeu-Flamurtari        14:00

Renditja
Ekipi        ND        P
Vllaznia        1        3
Flamurtari        0        0
Skënderbeu    0        0
Laçi        1        0

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura